Ekipi përfaqësues ndërgjegjësim për autizmin

schedule16:16 - 22 Mars, 2018

schedule 16:16 - 22 Mars, 2018

Ekipi përfaqësues i Shqipërisë la mënjanë për pak orë përgatitjet për ndeshjen ndaj Norvegjisë. Lojtarët kuqezinj u takuan me disa fëmijë me probleme të autizmit, në një mesazh ndërgjegjësues.

Si parim, futbolli nuk mund të mendohet i shkëputur nga jeta. Meqë jeta ka edhe halle, kombëtarja shqiptare vendosi të bënte një veprim ndërgjegjësimi, ndaj njërit prej problemeve më të mëdha të kohëve të sotme, sëmundjes së autizmit. Ekipi shkoi në Qendrën Rajonale për Autizmin në Farkë, ku u takua me një grup të vegjlish me këto lloj çrregullimesh, pjesë e Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.

Padyshim që ishte një kënaqësi për ata, që mund të quhen tifozë të vegjël, të takonin disa nga emrat më të njohur të përfaqësueses si Mavrajn, Hysajn apo Etrit Berishën, sa për të përmendur vetëm disa prej tyre. Besohet edhe për futbollistët, që cilësohen si yje globalë, ishte një përvojë për t’i kujtuar sesi është shpesh herë jeta, krejt ndryshe nga kushtet e tyre luksoze. Në emër të Fondacionit, foli presidentja e tij, Doktor Liri Berisha.

Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, e quajti këtë një eksperiencë të rëndësishme për veten, stafin e tij dhe futbollistët.
Delegacioni kuqezi u kryesua nga zv/presidenti i Federatës, Edvin Libohova, dhe sekretari i Përgjithshëm Shulku, ndërsa lojtarët i dhuruan fëmijëve fanela të kombëtares, si dhe zhvilluan një lojë me ta./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!