Planet e bëra publike pak javë më parë kanë ndryshuar krejtësisht. Egnatia nuk ka pritur fundin e sezonit, por ka zyrtarizuar që tani trajnerin e ri.
Nevil Dede është ulur zyrtarisht në pankinën e kampionëve në fuqi të Shqipërisë, duke marrë vendin e lënë bosh nga Edlir Tetova. Ky i fundit dhe klubi nga Rrogozhina konfirmuan divorcin pak ditë më parë, por ndryshe nga sa i kishin premtuar njëri-tjetrit e zyrtarizuan më shpejt ndarjen e tyre.
Tashmë drejtimi i skuadrës i është besuar Nevil Dede, që ka firmosur kontratën dhe është prezantuar në detyrën e re. Dede kthehet si trajner në Kategorinë Superiore, ndërsa më parë ka drejtuar Tiranën, Dinamon dhe Bylis. Po ashtu, ka qenë në pankinat e disa skuadrave në Kategorinë e Parë, por edhe në Superligën e Kosovës me Ferizaj.
Tekniku 51 vjeçar e merr Egantian në vendin e tretë të renditjes dhe të kualifikuar në “final four”. Po ashtu skuadra nga Rrogozhina do të luajë edhe finalen e Kupës së
Shqipërisë kundër Dinamo City. Pavarësisht këtyre arritjeve, javët e fundit nuk kanë qenë pozitive për Egnatian që ka shënuar katër humbje radhazi në kampionat.
Nevil Dede do të debutojë me skuadrën kampione në fuqi të Mërkurën, në sfidën e parafundit të sezonit të rregullt të Kategorisë Superiore, në shtëpi kundër Partizanit.
/abcnews.al/


