Egbo: Tirana-Kukësi një tjetër derbi shqiptar, kampionati do tregojë nivelin tonë

schedule12:58 - 3 Nëntor, 2020

schedule 12:58 - 3 Nëntor, 2020

Tirana nis nesër misionin e vështirë të mbrojtjes së titullit, pikërisht ndaj atyre me të cilët luftoi thuajse gjithë sezonin për kreun, Kukësit. Para kësaj ndeshje trajneri Egbo ka zhvilluar konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur rreth mungesave të shumta, të luajturit jashtë Tiranës dhe çështje të tjera që prekin klubin 25 herë kampion gjatë këtij fillimsezoni të çuditshëm.

NDESHJA – “Është një ndeshje e rëndësishme dhe çdo ndeshje në këtë kampionat është e rëndësishme. Nuk ka asnjë përballje të lehtë. Mendoj se të gjithë ekipet janë njëlloj, sidomos në nisjen e kampionatit, kur nuk dihet se në çfarë gjendje janë ekipet dhe në po e shohim se në çfarë gjendje jemi aktualisht”.

DERBI I DYTË? – “Po luajmë si kampionë në fuqi kundër vendit të dytë. Mendoj se Tirana-Kukësi mund të jetë një tjetër derbi i kampionatit shqiptar”.

MUNGESAT- “Normalisht që janë mungesa, që do i ndiejmë shumë, por kam besim se lojtarët që do jenë në fushë do bëjmë maksimumin”.

HUMBJET NDAJ KUKËSIT VJET- “Po flasim për kampionatin 2020-2021, nuk dua të kthehem mbrapa sepse ndeshja, që kemi para është e rëndësishme. Në fund e rëndësishme është se kush e ka fituar kampionatin, jo kush ka fituar në përballjet direkte. Kampionatet kanë treguar edhe në vende të tjera se ekipet e vogla në letër janë ekipe më të vështira. Këtë e bëmë ne, kundërshtari nuk e bëri dhe fituam kampionatin. Prandaj them se çdo ndeshje është njësoj për ne dhe do marrim një nga një”.

FORMACIONET – “Të gjithë ekipet dhe ne nuk e dimë formacionin tonë dhe të atyre. Ndoshta ata mund të na kuptojnë më shumë neve. Kur të zhvillohen dy-tre ndeshjet e para do e kuptojmë formacionet dhe sistemet e lojës”.

GJENDJA E EKIPIT – “Deri diku skuadra është gati fizikisht, por kampionati tregon qartë se ku jemi. Futet emocioni dhe gjërat e tjera dhe pas dy-tre ndeshjeve do shikohet se ku janë ekipet”.

DËNIMET E BATHËS E TORASSËS SHENJË PREISONI? – Çfarë presioni? Sapo ka filluar kampionati. Nuk e di ku e shikoni, nuk e kuptoj. Për ne nuk është presion negativ. Është presion i duhur për ne dhe e mban lojtarin në ton dhe përgjegjësi. Siç e thashë, ne jemi kampionë në fuqi dhe jemi ekipi për tu mundur. Këtë e dimë vetë dhe presim ta mësojnë edhe lojtarët e rinj. Shpresojmë të ambientohen sa më shpejt”.

LUHET NË KORÇË- “Përderisa nuk ka tifozë në stadium nuk ndikon. Jemi në Korçë, edhe Kukësi luan jashtë. Shumë klube nuk i kanë fushat sepse është koha për të mbjellë barin dhe nuk kemi ç’bëjmë”.

FORMACIONI STARTUES – “Nuk e vendos unë 11-shen e parë. E vendosin lojtarët. Lojtarët që janë mirë fizikisht dhe ata që janë gati mendërisht dhe psikologjikisht do jenë në fushë”, u shpreh Egbo. /abcnews.al/