E KRYER: Akord me japonezët, Dunga drejt ish-klubit të Fernando Torres

schedule16:40 - 9 Janar, 2021

schedule 16:40 - 9 Janar, 2021

Prej thuajse një muaji Ismael Dunga ka lënë Shkodrën dhe ka udhëtuar drejt Kenias me justifikimin e rinovimit të pasaportës. Por sulmuesi nuk do të kthehet më në Shqipëri për një arsye të madhe.

 

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije për Abcnews.al se ai ka arritur të sigurojë transferimin në një klub mjaft të njohur dhe të firmosë kontratë shumë më të pasur se ajo në Shkodër.

Daniel Mema, në bashkëpunim me dy menaxherë të tjerë arritën të mbyllin marrëveshjen për shitjen e ish-sulmuesit të Tiranës në Japoni te Sagan Tosu, klub në të cilin në të shkuarën ka luajtur edhe Fernando Torres.

 

Ismael Dunga

Tratativat mes palëve janë mbyllur me sukses dhe Vllaznia është bindur ta lërë të lirë Dungën në këmbim të 90 mijë dollarëve (74 mijë euro) dhe në orët në vazhdim pritet të zyrtarizohet lëvizja e sulmuesit.

Në kontratën me Vllazninë ai kishte edhe një klauzolë largimi prej 200 mijë eurosh, por duke parë formën e treguar dhe dëshirën e madhe të lojtarit për t’u transferuar në J1 League, ku do ketë të bëjë me kundërshtarë si Andres Iniesta, Vllaznia u bind për një shifër akoma më modeste. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!