E konfirmon qeveria: Kurti nuk e viziton SHBA-në këtë vit

schedule20:25 - 4 Dhjetor, 2021

schedule 20:25 - 4 Dhjetor, 2021

Plani i Kurtit për të shkuar në Amerikë gjatë muajit nëntor mbeti vetëm synim. Para 70 ditëve, kryeministri Kurti u pati treguar deputetëve në Kuvend se planifikon që në nëntor të udhëtojë drejt SHBA-së, gjë e cila nuk ndodhi.

Për vizitën e tij në SHBA gjatë muajit nëntor, Kurti u kishte treguar deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. E kjo erdhi pasi deputetët opozitarë e pyetën Kurtin pse nuk shkoi në Asamblenë e Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Megjithatë, Kurti nuk do të udhëtojë për në SHBA këtë vit. Në një përgjigje për T7, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ky takim është shtyrë për në fillim të vitit të ardhshëm.

“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Uashingtonin”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë./GazetaExpress