Përballja me Veliajn, Basha shkon në Gjykatën e Posaçme

schedule09:18 - 29 Korrik, 2021

schedule 09:18 - 29 Korrik, 2021

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur këtë të enjte në orën 09:00 në Gjykatën e Posaçme për seancën e padisë së bërë për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

E ndërsa mes palëve nuk ka pasur pajtim, gazetari i “ABC”, Ermal Vija raporton se seanca është shtyrë për shkak se Basha ka kërkuar të përballet me Veliajn për akuzën e shpifjes duke mos u tërhequr. Kryebashkiaku nuk është paraqitur vetë, por është përfaqësuar nga avokati Mariglen Legisi.

Lulzim Basha ka deklaruar se “do të vij vetë në çdo seancë”. Data e radhës e përballjes është caktuar 24 shtator, orë 09:00 në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë i kaloi kompetencën për gjykimin e padisë Gjykatës së Posaçme, pas disa muajsh ping-pongu mes dy gjykatave, asaj të Posaçmes dhe të Tiranës.

Në padi, Basha konsideron si shpifje të Erion Veliajt akuzat se; kryedemokrati është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit, se ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë së tërmetit dhe se ka ndërtuar pa leje./ Abcnews.al