Gjykata e Lartë: Gjyqi Basha-Veliaj për shpifje në Gjykatën e Posaçme

schedule15:54 - 27 Korrik, 2021

schedule 15:54 - 27 Korrik, 2021

Gjykata e Lartë ka vendosur ditën e sotme që padia e Lulzim Bashës kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për shpifje të gjykohet nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Vendimi i gjykatës së Lartë erdhi pas mosmarrëveshjes për kompetencën mes Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në seancën gjyqësore të datës 27.07.2021, mbi çështjen penale nr. 52810-227-2021, në lidhje me çështjen e ngritur për njësimin e praktikës gjyqësore, vendosi të mbahet ky qëndrim: Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm të parashikuar nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale, në të cilat akuza në gjykim përfaqësohet nga prokuroria si dhe për gjykimin e akuzave penale të viktimës akuzuese, të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm, sipas nenit 59 të K.Pr.Penale.

Në lidhje me çështjen, Kolegji vendosi: Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lendore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shqyrtimin e çështjes penale me nr.227/2021 Regj.Them, datë regjistrimi 30.03.2021 me viktimë akuzuese Lulzim Basha, kundër të akuzuarit Erion Veliaj për veprën penale “Shpifja” parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, duke përcaktuar Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Pare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes” thuhet në njoftim.

Në padi, Basha konsideron si shpifje të Erion Veliajt akuzat se; kryedemokrati është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit, se ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë së tërmetit dhe se ka ndërtuar pa leje./ Abcnews.al