KLSH kallëzon në prokurori drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së

schedule17:53 - 10 Nëntor, 2021

schedule 17:53 - 10 Nëntor, 2021

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurorinë e Tiranës drejtorin e Përgjithshëm të AKU, Bledar Skënderi, për shpërdorim detyre.

Në njoftimin e tij KLSH ka bërë me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në këtë institucion ka dalë në përfundimin se nuk është reaguar si duhet ndaj situatës së krijuar me alarmin e ngritur nga Bashkimi Europian për sasi ‘oksid etileni’ në disa akullore.

Sipas KLSH-së drejtori Skënderi nuk mori asnjë masë, as nuk inspektoi, bllokoi apo tërhoqi nga tregu akulloret e rrezikshme për shëndetin.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, ushtroi jashtë  programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt: ”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit ”Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”.

Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij. Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal“, thuhet në njoftimin e KLSH-së./abcnews.al