300 civilë humbën jetën nga bombardimi i teatrit në Mariupol

schedule10:25 - 25 Mars, 2022

schedule 10:25 - 25 Mars, 2022

Të paktën 300 persona kanë humbur jetën nga bombardimi i Teatrit të Dramës në Mariupol, javën e shkuar, raporton Sky News.

Në këtë godinë strehoheshin me qindra civilë dhe reagimet qenë të ashpra kundër Rusisë pas goditjes, edhe pse në dy anët e ndërtesës ishte shkruar me shkronja të mëdha ruse fjala “fëmijë”. Kjo ishte bërë që pushtuesit ta dinin që në godinë strehoheshin ndër të tjerë edhe fëmijë, por si duket kjo nuk e ka penguar pushtuesin që të godasë.

Vetëm ditën e sotme Këshilli i qytetit të Mariupol-it bëri të ditur se si pasojë e sulmit humbën jetën të paktën 300 persona.

“Fatkeqësisht, po e nisim ditën me lajme të këqija. Dëshmitarë okularë raportojnë se rreth 300 persona humbën jetën në Teatrin e Dramës Mariupol si pasojë e bombardimeve nga një avion rus. Duam të besojmë se të gjithë patën mundësi të shpëtonin, por fjalët e atyre që ishin brenda ndërtesës në momentin e këtij akti terrorist thonë të kundërtën.”

Deri më tani, Rusia mohon që ta ketë bombarduar teatrin edhe pse sulmet e saj ndaj një numri të madh godinash të banuara dhe objekteve të tjera joushtarake janë dokumentuar mirë në të gjithë vendin. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!