Hetimet për dy shpërthimet në Vlorë, ngrenë dyshime se ngjarjet mund të jenë shkaktuar nga të njëjtët autorë. Hetuesit po punojnë për lidhjet mes dy shpërthimeve, por dyshohet se autorët janë të porositur.
Dy shpërthimet me tritol në Vlorë duhet të jenë shkaktuar nga të njëjtët autorë. Grupi hetimor ka indicje, që ata persona të cilët vendosën tritol në sheshpushimin e katit të pestë të pallatit pranë policisë, mund të jenë edhe autorët e tritolit tek oborri i shtëpisë së 69-vjeçarit, djali i të cilit ka qenë më parë i arrestuar në Itali për trafik droge.
Hetuesit nuk janë akoma në gjendje të bëjnë lidhje mes dy ngjarjeve, por në një nga kamerat e sigurisë në ngjarjen e dytë, janë fiksuar dy persona të maskuar me kapuç që dyshohet se janë tritolvënësit. Burime të besueshme të policisë i thanë ABC News se mund të jenë ngjarje të porositura për arsye ende të paqarta.
Shpërthimet ndodhën njëri pas tjetrit mëngjesin e së mërkurës. Për fat nuk pati të lënduar përveç rastit, kur nëna e shenjestrës në pallat, u shtrua në spital nga tronditja.Ai është Fatjon Bata, një tregtar në qytet, por policia e cilëson person të pastër.
Këtu dëmtimet ishin shumë të mëdha. Dyert, muret, dritaret e disa banesave u shkatërruan. Kurse në rastin e dytë, dëmtimet ishin më të pakta për shkak se autorët kanë mundur të vendosin eksplozivin vetëm në oborr./abcnews.al