Dy gra vriten brenda javës, krimet makabër trondisin Kosovën

schedule11:11 - 1 Dhjetor, 2022

schedule 11:11 - 1 Dhjetor, 2022

Të premten e 25 Nëntorit një ngjarje tronditëse ndodhi në Kosovë. Një mesuese në shkollën fillore ‘Dardania’, Sanije Godeni 63-vjeçe, u vra në mënyrë mizore nga kur po flinte. Dyshohet se këtë krim e ka kryer bashkëshorti i saj Izet Godini.

Godeni dyshohet se me anë të goditjeve me një sëpatë, i ka marrë jetën bashkëshortes së tij. Ndaj Godenit, Gjykata Themelore ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

Ndërsa mbrëmë, i gjithë vendi u trondit nga një krim tjetër i tmerrshëm që ndodhi në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gruaja shtatzënë e cila ishte shtruar në këtë Klinikë, Hamide Magashi, 35-vjeçare, dyshohet se u vra me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin ishin në proces të ndarjes.

Magashi  ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël e cila u kthye në tragjedi. Burri me të cilin ishte në proces divorci ia mori jetën gruas dhe fëmijës dhe më pas u arratis me makinën e tij Opel Astra me targa 05-450-BC.

Policia e ka shpallur në kërkim të dyshuarin dhe e ka konfirmuar rastin tragjik.

Gruaja që u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së kishte lëshuar një urdhër për mbrojtje. Ajo në korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici një rast të dhunës në familje, ku personi për të cilin kishte raportuar ishte pikërisht ish-bashkëshorti i saj.

Fjalët e fundit që 35-vjeçarja shtatzënë Hamide Magashi ka thënë para se të vritej nga burri i saj në Kosovë janë bërë publike. Vrasja e saj ndodhi pikërisht në oborrin e Gjinekologjisë ku ka pasur edhe kalimtarë rasti.

Klan Kosova ka rënë në kontakt me një dëshmitare e cila i ka dëgjuar fjalët e fundit të viktimës para se ajo të vritej.

“Po, më duket se ka qenë shtatzënë sepse ka bërtitur: ‘pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte’”. Ai veç e ka nxjerrë alltinë prej xhepit dhe e ka qëlluar dy herë”, ka thënë dëshmitarja.

Viktima ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri i saj.

Kështu e konfirmoi për T7 motra e viktimës, e cila tha se H.M dhe burri i saj kanë pas probleme edhe më herët, dhe se burri i saj gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi.

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti nëse konfirmohet se rasti ka qenë i denoncuar në polici.

“Unë mendoj që drejtori i Policisë  sonte duhet të jap dorëheqje. Si deputet po e them me plot përgjegjësi, nëse rasti ka qenë i lajmëruar në polici”, ka deklaruar Abazi në RTV Dukagjini.

Vrasja e shtatzënës nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti, tha se kjo ishte vrasje mizore, “e papranueshme dhe e padurueshme”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet t’i jepet fund “valës kriminale” dhe “femicidit” ndaj grave, teksa kërkoi drejtësi për viktimat e dhunës.

Liderët e subjekteve opozitare poashtu reaguan ashpër duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të shtetit dhe shoqërisë ndaj këtyre akteve makabre.

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë të enjten në Prishtinë protesta për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”.

Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje. /abcnews.al