Durrës, Rama: Mundësi për vende pune me pagë deri në 80 mijë lekë

schedule13:44 - 14 Qershor, 2018

schedule 13:44 - 14 Qershor, 2018

Kryeministri  Edi Rama deklaroi në Durrës se panairet e punës janë një mundësi për të gjetur punë me pagë mujore nga 25 mijë lekë deri në 80 mijë lekë. Në këtë panair në qytetin bregdetar ofrohen 1047 vende pune.

E përsërit sa herë i jepet mundësia se vende të lira pune ka. Konfirmimin e ka marrë edhe nga sipërmarrësit durrsakë.

“Të mos thonë që nuk ka vende pune. Ne jemi me konfeksione, punësojmë 250 persona. Edhe nëse nuk janë të trajnuar, ne i trajnojmë. Kemi kolektivin prestar, rrobaqepës, mekanikë, elektrikë, kemi mundësi plot për t’i punësuar”, shprehet një sipërmarrës.

Në panairin e punës në Durrës që u hap për të dytën herë, ofrohen 1047 vende të lira pune të të gjitha kategorive e profileve. 480 vende vakante pune janë negociuar vetëm nga zyrat e punës, ndërsa pjesa tjetër drejtpërdrejtë nga bizneset. Kërkesat janë edhe për zanate të tilla si saldatorë.

Edi Rama: “Ka mungesë për saldatorë. Saldatorët janë problem, sepse në të gjithë këto kompanitë e reja që janë hapur, që punojnë si ju, edhe në ndërtime si stadiumi kombëtar, TAP-i e ndërtime që kanë struktura metalike ka mungesë dhe prandaj duhet të fuqizojmë shumë arsimin profesional”.

Kryeministri Rama u shpreh se ky panair jo vetëm dëshmon edhe njëherë ritmin e zhvillimit ekonomik, që sjell nevojën gjithnjë në rritje për punonjës të kualifikuar por edhe pagat, që variojnë deri në 800 mijë lekë të vjetër.

Edi Rama: “Aspekti tjetër është te pagat, nga 250 mijë, 300 mijë lekë, në 600, 700 mijë, apo 800 mijë lekë. Është e gjithë gama, janë të gjitha profesionet, por vazhdon vakumi i madh që është krijuar në shumë vite dhe që po mbushet pak nga pak, por jo aq sa duhet, sepse është e pamundur të mbushet në kaq kohë të shkurtër sa ka filluar të vihet në shina arsimi profesional. Këtu është e gjithë sfida jonë, që njerëzve t’iu ofrojmë mundësi për punë”.

Për kreun e qeverisë këto panaire janë të domosdoshëm që të bindin njerëzit se mundësitë për punë nuk mungojnë. Mjafton t’i kërkosh.

Edi Rama: “S’kemi asnjë rrugë tjetër, të vazhdojmë të këmbëngulim, të këmbëngulim sepse është një mentalitet i tërë që duhet thyer”./abcnews.al