Duka: Zgjedhjet e KOKSH të politizuara, shkelje ligjore kandidimi i Fidel Yllit

schedule20:15 - 11 Prill, 2021

schedule 20:15 - 11 Prill, 2021

KOKSH është ende pa një president dhe në mbledhjen e mëparshme u vendos që zgjedhjet të zhvillohen më datë 18 prill, një javë nga zgjedhjet politike. Armand Duka, presidenti i FSHF përmes një letre të hapur ka shprehur shqetësimin e tij për politizimin e zgjedhjeve dhe kandidimin për president të Fidel Yllit, kandidat për deputet të PS edhe në zgjedhjet politike.

LETRA E PRESIDENTIT DUKA – “Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar përpara asamblesë zgjedhore. Caktimi i datës së zhvillimit të saj në kulmin e fushatës së zgjedhjeve politike, vetëm 7 ditë përpara datës 25 prill, është një veprim që synon të ndikojë politikisht në rezultatin e tyre.

Ne e kemi kundërshtuar përfshirjen në kandidim për president të një deputeti që synon të zgjidhet përsëri në listën e PS. Ky është një politizim i hapur dhe shumë i dëmshëm për një organizatë sportive, që në statutin e saj përcaktohet si apolitike. Është e qartë që edhe vetëm kandidimi i një personi me pozicionim të qartë partiak është një faj i rëndë.

 

Opinioni sportiv është njohur me tentativën e një komisioni anonim, që kërkon të ndikojë në procesin zgjedhor duke përjashtuar nga kandidimi dhe votimi individë dhe 23 federata anëtare të KOKSH. Kjo është një tentativë jo statutore që synon të ndryshojë votuesit dhe listën e kandidatëve për t’i hapur rrugë manipulimit të zgjedhjeve. FSHF dëshiron t’i bëjë të qartë iniciatorëve të këtyre veprimeve se, nëse vazhdojnë me këto veprime, do të kallzohen penalisht në gjykatë.

FSHF i fton të gjithë anëtarët e KOKSH që të përdorin të drejtën e tyre të votimit për të ndryshuar historinë e deritanishme të kësaj organizate dhe për ta rikthyer atë në rrugën e ligjshmërisë. Nëse dikush mendon se mund të përdorë presionin politik mbi anëtarët e Asamblesë apo se mund të manipulojë zgjedhjet, atëherë le të bëhemi bashkë për të treguar forcën dhe vullnetin tonë në dobi të sportit dhe drejtësisë.

KOKSH është organizata jonë dhe jo e atyre që e kanë marrë peng politikisht dhe duan të vazhdojnë ta mbajnë peng edhe në të ardhmen”. /abcnews.al