Dritan Shano: Ka ardhur koha që të mos prodhojmë më “zot-a” në politikën shqiptare

schedule22:16 - 7 Janar, 2020

schedule 22:16 - 7 Janar, 2020

Ekonomisti Dritan Shano ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në Provokacija me Mustafa Nanon.

Dritan Shano ndau me publikun opinionet e tij në lidhje me atë çfarë po ndodh në arenën ndërkombëtare politike por edhe në vend. Si anëtar i Partisë Demokratike Shano tregoi se si dukeshin në këndvështrimin e tij liderët politikë të vendit.

Pjesë nga biseda në studion e Provokacija:

Dritan Shano: Sjellja e Ramës nuk ka lidhje me qeverisjen por me pushtetin. Bllokimi i mendjes së shqiptarit me imazhin e vet, me poturet e veta, me komunikimin e vet me specie jo njerëzore, e bën këtë që shqiptari mos të ketë kohë të mendojë po të merret vetëm me atë që ai servir. Ndoshta i është rritur popullariteti por kjo shkon në proporcion të drejtë me largimin e shqiptarëve nga vendi. Të dy këto gjëra janë të lidhura me njëra tjetrën. Ai ka këtë sjellje sepse ka PR kështu dhe se kështu është, pra janë të dyja të kombinuara.

Mustafa Nano: Për tu kthyer te diskutimi për Kodin Zgjedhor, prisja nga opozita që ti fokusonte energjitë e veta në këtë gjë, mirëpo nuk po e shoh këtë gjë, cfarë ndodh?

Dritan Shano: Mendoj që PD do duhet ti kishte bërë ato propozime. Por kjo vjen nga pozitat e një njeriu që guxon të mendojë me kokën e vet. Dritan Shano ka mandatuar Lulzim Bashën të merret me këtë punë. Si anëtar i këshillit kombëtar, si anëtar i Partisë demokratike kam hedhur votën që ta kem kryetar. Është detyra e kryetarit ta zgjidhë, të propozojë dhe të merret me këtë gjë, nuk dua të diskutoj për temporitmin që ai zgjedh pasi është strategji e tij kjo gjë, është risku i tij. Ai në një moment tjetër do të tentojë të rizgjidhet dhe nëse nuk më ka dhënë mua ato produkte që unë pres prej tij, njëri nga këto është propozimi për Kodin Zgjedhor, atëherë unë do të mendohem dy herë përpara se ti hedh votën nesër, çfarë vlere ka kjo për Bashën? Zero! Sepse mendoj që brenda partisë do të ketë njerëz të tjerë që nuk do i japin peshën që i jap unë kësaj çështjeje.

Mustafa Nano: Po nëse në 100 gjëra që Basha duhet të bëj, ai ka bërë vetëm 1, a ka mundësi që masa e madhe ta largojë nga drejtimi?

Dritan Shano: Unë mendoj që po, sepse të gjithë hedhin votën atje. Votën e lexojnë anëtarët e Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike në këtë mes ka çfarë ti tregojë çdo force politike tjetër, sepse në ndryshonim nga të gjithë forcat e tjera politike, në PD zhvillohen zgjedhjet në mënyrë të rregullt. Në PS më kujtohet që që prej 2009 nuk ka më zgjedhje. Ajo që po ndodh në Shqipëri është që janë po të njëjtët njerëz prej 30 vjetësh, po të njëjtat fytyra. Problemi i Shqipërisë dhe mungesa e aktivizmit individual është pikërisht kjo gjë , që ne na është bërë normale tashmë që dikush na rri sipër kokës prej 10 apo 20 vjetëve. Këto gjëra nëpër botë nuk ndodhin, ne prodhojmë përsëri zota, të vegjël por përsëri zota. /abcnews.al