Drejtori i USAGM jep dorëheqjen

schedule12:57 - 21 Janar, 2021

schedule 12:57 - 21 Janar, 2021

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediet Globale (USAGM) dha dorëheqje të mërkurën me kërkesë të presidentit Joe Biden, pak kohë pas betimit të presidentit.

Michael Pack shërbeu për pak më shumë se shtatë muaj të trazuar si shefi ekzekutiv i agjencisë sipas legjislacionit të ri që i jepte atij përgjegjësi të zgjeruara.

Mandati i ish producentit konservator të flamave dokumentarë u shënua me procese gjyqësore, ankesa të sinjalizuesve, një thirrje nga Kongresi dhe urdhrat e gjykatës që i ndaluan atij të ndërhyjë në operacionet e organizatave që mbikëqyren nga USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur, i cili mbështet lirinë globale të internetit.

 

Në një letër lamtumire për punonjësit, zoti Pack tha se ishte “përqendruar vetëm në riorientimin e agjencisë drejt misionit të saj dhe” për të ndihmuar agjencinë që t’i tregojë botës rrëfimin për Amerikën në mënyrë objektive dhe pa paragjykime”. Zoti Pack shtoi se beson që “reforma shumë e nevojshme” u përmbush nën udhëheqjen e tij.

Sidoqoftë, shumë nga veprimet e tij u dënuan nga kritikët në Capitol Hill si dhe grupet për mbrojtjen e lirisë së medies dhe sinjalizuesve.

Në një letër të shpërndarë nga mbështetësit e zotit Pack dhe që thuhet të jetë dorëheqja e tij zyrtare, ai e përshkroi kërkesën e administratës Biden për dorëheqjen e tij si “një akt partiak”. Zoti Pack shtoi se konfirmimi i tij në Senat parashihte një mandat tre-vjeçar për të siguruar që kreu i agjencisë ishte “i paprekshëm” nga ndryshimet në administratë.

Një ndryshim në administratë zakonisht nënkuptuar një lëvizje masive të të emëruarve politikë ose zyrtarë të tjerë të rangut të lartë. Dorëheqja e zotit Pack ndodhi ndërsa shumë të emëruar të tjerë të ish presidentit Donald Trump dhanë dorëheqjen ndërsa administrata e re mori detyrën.

Të mërkurën vonë, Shtëpia e Bardhë emëroi drejtoren e programit të Zërit të Amerikës, Kelu Chao, ushtruese detyre të Drejtores ekzekutive të USAGM. Një veterane e agjencisë, zonja Chao ka më shumë se 20 vjet përvojë pune në Zërin e Amerikës, duke përfshirë punën si gazetare në terren, postin e shefes së byrosë së Hong Kongut, shefen e shërbimit Mandarin dhe të drejtores së divizionit të Azisë Lindore. Zonja Chao vitin e kaluar dëshmoi në një proces gjyqësor rreth ndërhyrjes editoriale nga zoti Pack dhe ndihmësit e tij.

Chao do të trashëgojë disa çështje të hapura që përfshijnë një hetim mbi keqmenaxhimin e pretenduar të agjencisë, të urdhëruar në muajin nga Zyra e Kontrollorit të Posaçëm.

Ekziston po ashtu një proces gjyqësor mbi ndërhyrjet editoriale në Zërin e Amerikës dhe dy procese gjyqësore në lidhje me financimin dhe menaxhimin në Fondin e Teknologjisë së Hapur (OTF) dhe procedurat që kërkojnë prerjen e fondeve fekale për OTF-në. Ekziston gjithashtu një kundërthënie rreth mos ripërtëritjes së vizave J-1 për gazetarët e huaj që punojnë në Zërin e Amerikës.

Më shumë se 30 gazetarë nga shërbimet e Zërit të Amerikës humbën vendet e tyre të punës dhe të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara gjatë shtatë muajve të fundit, për shkak të vendimit të zotit Pack për të mos ripërtërirë vizat e tyre.

Udhëheqja e zotit Pack me USAGM nxiti alarmin e hershëm midis gazetarëve të rrjeteve të mbikëqyrura nga agjencia dhe grupeve të lirisë së medies, të cilët dënuan zëvendësimin drejtuesve të rrjeteve dhe bordeve dy partiake. Denoncuesit pretenduan raste të shumta të keqmenaxhimit, veprimeve hakmarrëse dhe hetimeve ndaj personelit që patën një efekt rraskapitës.

Në ditën e fundit të punës së zotit Pack, një organizatë jofitimprurëse për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), u dërgoi një letër ligjvënësve duke pohuar se USAGM kishte shpenzuar të paktën 2 milionë dollarë të taksapaguesve për të paguar një firmë ligjore private për të hetuar dhe hartuar dosjet për punonjësit e agjencisë dhe OTF-në.

“Kjo humbje e burimeve qeveritare është tronditëse,” tha në një deklaratë David Seide, këshilltar i lartë në GAP. “Ne besojmë se ka gjasa që hetimi shtesë të zbulojë më tej shkeljet e ligjit, rregullit dhe rregulloreve, keqpërdorimin e autoritetit dhe keqmenaxhimin e rëndë”.

Veprimet e zoti Pack gjithashtu nxitën kritika nga republikanët dhe demokratët në Kongres. Në shtator, Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së së Përfaqësuesve e thirri atë pasi ai anuloi një paraqitje të planifikuar për të dëshmuar.

Ligjvënësi Michael McCaul nga Texasi, republikan në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve i tha të mërkurën Zërit të Amerikës se shpreson që shefi i ri ekzekutiv i agjencisë do të punojë për të promovuar lirinë e shtypit.

“Misioni i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale është të çojë më tej dhe lirinë e medies dhe internetit në të gjithë botën,” tha ligjvënësi McCaul. “Në bashkëpunim me Fondin e Teknologjisë së Hapur, agjencia ka një histori suksesi në sigurimin e qasjes në internet dhe mbështetjes tjetër jetike për qytetarët në Kinë, Iran, Rusi dhe vende të tjera autoritare”.

Zoti McCaul shpreson që “drejtori i ri ekzekutiv të përqendrohet në zgjerimin e përpjekjeve të agjencisë në të gjithë botën për të promovuar një medie të lirë dhe të hapur”.

Ish presidenti Trump emëroi zotin Pack për të udhëhequr USAGM, por Senati vonoi konfirmimin për dy vjet, deri në qershor të vitit 2020. Më në fund ai veproi pasi që ish presidenti Trump filloi të sulmojë mbulimet e Zërit të Amerikës dhe kërkoi që republikanët e Senatit të çojnë emërimin përpara.

Senatorët demokratë kishin ngritur shqetësime në lidhje me përshtatshmërinë e producentit të filmave dokumentar dhe në lidhje me një hetim të keqmenaxhimit të pretenduar në një organizatë jofitimprurëse të themeluar prej tij.

Në intervistat me mediet konservatore si dhe në një editorial të 15 janarit në The Wall Street Journal, zoti Pack mbrojti veprimet e tij, duke thënë se po punonte për të trajtuar shqetësimet e sigurisë brenda agjencisë, ndërsa theksoi njëanshmërinë liberale në përmbajtjen e programeve të Zërit të Amerikës. Zoti Pack akuzoi gjithashtu paraardhësit e tij për “vulosje automatike” të vizave J-1 dhe tha se agjencia po e përdorte procesin si një “rrugë drejt shtetësisë”.

Në intervistat e tij, zoti Pack shpesh theksoi hetimin nga ndihmësit e tij të shërbimit në gjuhën urdu të Zërit të Amerikës për transmetimin e një reklame të fushatës Biden, si një shembull i kësaj njëanshmërie. Në shkrimin e tij në Wall Street Journal, ai tha se si i emëruar nga ish presidenti Trump “kurrë nuk do të kishte lejuar që një reklamë e fushatës pro-Trump të transmetohej në Zërin e Amerikës”.

Në një padi të sinjalizuesve që pretendon keqmenaxhimin dhe ndërhyrjet editoriale, thuhet se afërsisht në të njëjtën kohë me hetimin në shërbimin në gjuhën urdu, shërbimi në gjuhën spanjolle i Zërit të Amerikës publikoi reklamën e fushatës së presidentit Trump në mediet sociale. Në atë rast, thuhet në padi, menaxhmenti i Zërit të Amerikës u mor me këtë çështje, ndryshe nga shembulli i rastit me zotin Biden, ku USAGM anashkaloi procedurat normale në mënyrë që të hetonte drejtpërdrejt.

Në shkrimin e javës së kaluar, zoti Pack tha se rrjetet “u rebeluan” kundër vendimeve të tij, duke pretenduar se gazetarët përdorën kontaktet e tyre me mediet dhe Kongresin që çoi “në rrjedhje të pafundme, llogari te rreme, padi të pambështetura dhe hetime nga Kapitoli”.

Shkrimi u botua pak pasi që të paktën 48 gazetarë dhe ish-gazetarë e drejtorë të Zërit të Amerikës i shkruan zoti Pack, duke kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Zërit të Amerikës, Robert Reilly dhe zëvendësit të tij, pas transferimit të korrespondentes së Zërit të Amerikës që mbulonte Shtëpinë e Bardhë në një detyrë tjetër.

Pack mori pak mbështetje të jashtme për vizionin e tij për agjencinë, përfshirë dy ish-punonjës. Ted Lipien, i cili deri vonë ishte redaktor i një blogu shpesh kritik ndaj udhëheqjes së kaluar të agjencisë, dhe zoti Reilly të cilët thanë se zoti Pack po ndërmerrte veprime për të trajtuar probleme afatgjata.

Në dhjetor, Michael Pack emëroi zoti Reilly për të udhëhequr Zërin e Amerikës dhe zotin Lipien për të drejtuar Radion Evropa e Lirë, ndërsa më 19 janar emëroi anëtarët e rinj konservatorë për bordet e rrjeteve, duke përfshirë zotin Roger Simon, një kontribuues në The Epoch Times që përshkroi trazirat vdekjeprurëse të janarit në Kapitol si një operacion “të rremë”, dhe Christian Wheaton, i cili ka mbrojtur aneksimin e Krimesë nga Rusia./VOA