Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e saj.
Për këtë qeveria në Beograd ka nisur tashmë punën duke angazhuar ekspertë.
Konfirmimi për një vendim të tillë u dha nga vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç me fjali jo pak kërcënuese.
“Ne tashmë kemi thirrur ekspertë që merren me këtë — sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të gjithë të tjerët… Meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, le të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.”
Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është i rëndësishëm për Kosovën.
Ai lidhet drejtpërdrejt me sistemin ujor të Gazivodës/Ujmanit dhe me kanalin Ibër-Lepenc.
Në këtë rast ndërhyrja nuk nënkupton një lëvizje të zakonshme, por një veprim me pasoja të drejtpërdrejta mbi Kosovën për furnizimin e saj me ujë dhe energji elektrike, veçanërisht dy termocentralët e medhenj Kosova A dhe Kosova B.
Kjo është një ide e përsëritur e Vuçiç.
Në vitin 2024, menjëherë pas sulmit në infrastrukturën kritike në Ibër Lëpenc, për të cilin akuzohen po serbët, ai tha se vendi kishte një plan për devijimin e Ibrit në territorin e Serbisë.


