“Do ju publikoj videot e seksit”, 50 vjeçari makth i dy studenteve

schedule17:32 - 28 Nëntor, 2017

schedule 17:32 - 28 Nëntor, 2017

Gjykata e Tiranës ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj një 50 vjeçari të kthyer në makth për dy studente në Tiranë. I pandehuri me iniciale A. P. telefononte me numër privat studentet duke pretenduar se kishte video intime të tyre dhe se do t’i publikonte. Ai u fajësua për “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike” dhe u la në Shërbim Prove për një afat 2-mujor.

“Jeni filmuar në dhomat e zhveshjes duke kryer marrëdhënie seksuale me pedagogët. Videon do ta publikoj në internet ”. Përmes mesazheve të tilla një 50 vjeçar është kthyer në mankth për dy studente të Universitetit të Sporteve në Tiranë. Ai dyshohet t’u ketë dërguar vajzave për muaj me radhë sms, si edhe t’i ketë telefonuar me numër privat duke i kërcënuar me publikimin e videove intime. “Anonimi” është identifikuar nga njëra prej tyre, e cila ka njohur përtej telefonit zërin e bashkëshortit të hallës së saj. Pas kallëzimit, 50 vjeçari me iniciale A. P. banor i qarkut të Beratit, përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës. Ai u deklarua i fajshëm për akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike” dhe u dënua me 1 muaj burg, për t’u lënë më pas në Shërbim Prove për një periudhë 2 mujore.

Referuar vendimit të gjykatës, i siguruar nga “ABC News”, telefonatat me numër privat drejt studenteve kanë nisur gjatë vitit shkollor 2016-2017. 50 vjeçari ka telefonuar disa nga shoqet e mbesës së gruas, të cilave u prezantohej si babai i saj. Më tej ai ka dërguar sms tek shoqja e saj e shtëpisë. Në disa raste vajzat e kanë telefonuar mbrapsh. Ai ka folur dhe ka shprehur dyshime se ato punonin si prostituta në Tiranë.

Në takimet që ka pasur në qytetin e saj me të dyshuarin, i pandehuri ka mohuar të jetë ai autor i mesazheve apo telefonatave. Thirrjet e fundit të kësaj natyre kanë qenë në muajin shkurt 2017. Në kallëzim, studentet kanë rrëfyer se me kërcënimet, ngacmimet dhe veprimet e përsëritura i pandehuri iu ka shkaktuar ankth, frikë dhe shumë pasiguri për jetën. Gjatë gjykimit i pandehuri ka shprehur pendesë për veprimet e kryera./abcnews.al

 

https://youtu.be/rRRjg27uHZo