Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Djegia e tregut të fruta-perimeve në Lushnje/ 25 tregtarë humbën gjithçka, zjarrvënie e qëllimshme

schedule09:14 - 19 Maj, 2026

schedule 09:14 - 19 Maj, 2026

Një zjarr i rënë rreth orës 03:30 të mëngjesit shkrumboi pjesën fundore të tregut të fruta-perimeve në Lushnje, duke shkaktuar dëme të mëdha për tregtarët. Banorët e zonës njoftuan menjëherë zjarrfikësit dhe policinë, të cilët arritën të izolonin vatrën e zjarrit, duke shmangur djegien totale të produkteve në të gjithë tregun.

Operacioni për shuarjen e flakëve ka qenë i vështirë për shkak të strukturës së tregut, mbulesa e të cilit ishte prej plastike, faktor që ndihmoi në përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe në djegien e plotë të strukturës.

Si pasojë, 25 tregtarë kanë humbur gjithçka, pasi janë djegur të gjitha produktet që ndodheshin në tezgat e tyre. Fillimisht dyshohej se zjarri ishte shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por pas këqyrjes paraprake të vendit të ngjarjes, disa orë pas shuarjes së flakëve, u konfirmua se bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.



Tregu, i ndërtuar tre vite më parë nga bashkia, ruhej me roje dhe survejohej me kamera sigurie. Megjithatë, kamerat nuk kanë mundur të filmojnë autorët e dyshuar, edhe pse njëra prej tyre ndodhej vetëm tre metra mbi zonën e djegur. Sipas tregtarëve, çadrat dhe mbulesat e përdorura për mbrojtjen e mallrave nga dielli dhe reshjet kanë penguar fushëpamjen e kamerave, duke e bërë të vështirë identifikimin e autorit apo autorëve të zjarrvënies.

Tregtarët e vegjël kanë pësuar dëme të konsiderueshme ekonomike, ndërsa grupi i emergjencave civile pranë bashkisë po vijon evidentimin e dëmeve për secilin tregtar. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!