Djegia e mandateve “përplas” SHBA me Bashën

schedule22:02 - 19 Shkurt, 2019

schedule 22:02 - 19 Shkurt, 2019

Djegia e mandateve ka sjellë një përplasje deklaratash në distancë mes ambasadës amerikane në Tiranë dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Ambasada u ka bërë thirrje deputetëve opozitarë të refuzojnë braktisjen e mandateve. Si përgjigje, kreu i PD citoi një fragment fjalimi të një prej presidentëve më me ndikim në SHBA, Abraham Linkoln dhe njoftoi se kryesia e PD e ka miratuar vendimin.

 Ambasada e SHBA në Shqipëri shprehet kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve. Në një postim në Facebook, u bëhet thirrje deputetëve të refuzojnë thirrjet për dorëzim mandate, pasi një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese.

“Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin t’u shërbeni.”

I pyetur nga gazetarët kreu i PD zgjodhi mënyrën diplomatike të reagimit. Basha tha se nuk komenton deklaratat e diplomatëve në Tiranë, por SHBA dhe demokracia amerikane janë frymëzimi i tij më i madh. E citoi një fragment nga mesazhi i një prej presidentëve më influentë për demokracinë amerikane Abraham Lincoln:

“That these dead shall not have died in vain. That this nation under God, shall knoë a neë birth of Freedom and that Government of the people, by the people and for the people shall not perish from the face of Earth”.
Tani, për të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe bashkëkombasit kudo që na ndjekin. Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetëvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Për këtë, ne nuk po kërkojmë të marrim diçka. Nuk po kërkojmë të marrim mandate me ndihmën e krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama dhe siç është vërtetuar edhe nga provat gjyqësore të publikuara nga Zëri i Amerikës. Ne po japim. Dhe për ta përkthyer tani thënien e Presidentit Lincoln, shpresoj që kjo sakrificë nuk do të shkojë dëm. Se ky komb nën Zot, do të ketë një lindje të re të Lirisë dhe Demokracisë dhe se qeverisja e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nuk do të zhduket nga faqja e Shqipërisë”.

Deklarata e Bashës u bë pas mbledhjes së kryesisë së PD, e cila sic nënvizoi kryetari Basha, miratoi me votë unanime vendimin e grupit parlamentar të PD për djegien e mandateve, ndërsa të mërkurën vendimmarrja finale pritet nga Këshilli Kombëtar i kësaj partie./abcnews.al