E premtja ka qenë një ditë protestash në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington, një grup aktivistësh ka manifestuar përpara Shtëpisë së Bardhë kundër linjës së ashpër të administratës Trump ndaj emigrantëve.
Duke sfiduar shiun e dendur, aktivistët kanë ngritur parulla të tipit “Zero tolerancë ndaj Trump” dhe përmes pajisjeve teknologjike kanë transmetuar një material audio me të qarat e fëmijëve të larguar nga prindërit.
Ndërkohë, qindra persona kanë mbushur rrugët në Pitsburg të Pensilvanisë për të protestuar kundër vrasjes së një 17-vjeçari me ngjyrë nga policia. Adoleshenti Antuon Roz ishte i çarmatosur kur u ndalua nga policia, e cila po kërkonte autorët e një grabitjeje.
Agjenti që e qëlloi, sikurse e parashikon ligji, është pezulluar nga detyra; masë kjo që është cilësuar e pamjaftueshme nga komuniteti afro-amerikan. Kështu, ata kanë rrethuar drejtorinë e policisë së Pitsburgut, kanë marshuar rrugëve dhe kanë bllokuar aksin kryesor në të dyja korsitë, duke shkaktuar vonesa në trafik./abcnews.al