Dinamika/ Pse vrapoi Klodiani! Kontradikta mes dy dëshmive, ndjekja zgjati 5 minuta

schedule21:41 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 21:41 - 15 Dhjetor, 2020

Orët e para të 8 dhjetorit, në mesnatë, në rrugicat e Laprakës u vra 25 vjeçari Klodian Rasha. Mbi të qëlloi me pistoletë një efektiv i patrullave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit. Ngjarja ndodhi në rrugën Dritan Hoxha rreth orës 01.10 pas mesnate. Klodiani kishte dalë nga shtëpia për të blerë një paketë cigare në rrugicën pranë banesës së tij, thonë familjarët. Por në rrethana ende të paqarta, ai u përball me patrullën e repartit Shqiponja i përbërë nga dy efektivët, Nevaldo Hajdaraj dhe Erjon Gjergo. Brenda 5 minutash ndjekje nga efektivët e policisë, Klodian Rasha u qëllua me armë nga Nevaldo Hajdaraj.

Patrulla policore pretendon se viktima kishte kërcënuar me armë dhe vrasja erdhi si pasojë e vetëmbrojtjes. Pas ngjarjes, dy efektivët janë shoqëruar në polici dhe Nevaldo Hajdaraj është arrestuar. Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka tashmë një dinamikë të ngjarjes bazuar në rrëfimet e dy efektivëve të policisë pranë grupit hetimit. Dëshmitë e tyre janë të vetmet që disponon organi i akuzës pasi ngjarja është zhvilluar vetëm midis tyre dhe viktimës, pa dëshmitare të tjerë, nëpër rrugë e rrugica ku mungojnë kamerat e sigurisë.

Nevaldo Hajdaraj thotë se kanë ndaluar makinën e tyre pasi kanë parë një automjet që po lëvizte në rrugën pranë vendit ku po qëndronte Klodian Rasha. Ai thotë se i riu vrapoi menjëherë dhe kjo e shtyu të vihej në ndjekje të tij.

‘Rreth orës 1 të natës i dhamë shenjë ndalimi një automjeti. Në momentin e ndalimit të automjetit, në krahun e djathtë në trotuar konstatova një person që po rrinte mbështetur në një mur diku tek rrethimi i hotel “Dilo”. Kur e pashë bëri një lëvizje të dyshimtë dhe menjëherë nisi të lëvizë me hap. I kam bërë thirrje të ndalonte me tekstin: Policia për verifikim” . Në momentin kur u nisa ti afrohem, personi nisi të vrapojë dhe kaloi karrexhatën për të dalë në krahun tjetër në rrugën “Dritan Hoxha”. I kam bërë disa herë thirrjen: ndal policia… e kam ndjekur po me vrap në drejtim të drejtorisë së doganave.

Kolegu im Erjoni ishte nisur t’i dilte nga krahun tjetër.. në rrugën në krah të bar “Oslo” për t’i dalë përballë. Gjatë ndjekjes pashë që personi diçka nxori nga brezi dhe e mbante në dorë.. duke vrapuar lëshoi një kërcënim: “mos u afro se do të qëlloj” . Në këtë moment kam bërtitur ”armë” për ta dëgjuar kolegu im.. Personi vraponte në drejtim të drejtorisë së doganave dhe unë e ndiqja, ndërkohë mbusha armën dhe e mbajta në dorë pa qëlluar. Në këtë kohë kolegu im ishte afruar më shumë me personin dhe unë u ktheva mbrapsht në po atë drejtim që isha nisur dhe kam dalë në rrugën Dritan Hoxha. Në këtë moment pashë personin që doli në rrugën Dritan Hoxha dhe kaloi karrexhatën dhe u afrova në zonën ku ishte në fillim të situates, te “Pit stop”, ka deklaruar Nevaldo Hajdaraj.

Deri këtu, dëshmia e efektivit Erion Gjore përputhet me dëshminë e policit Nevaldo Hajdaraj. Por dëshmitë e secilit ndryshojnë thelbësisht në minutat e fundit të ngjarjes kur Klodiani është kthyer në pikën fillestare. Sipas Erjon Gjores, Nevaldo Hajdarja dhe Klodian Rasha janë përplasur fizikisht për disa sekonda kur ai ka qenë 100 metra larg tyre.

“Personi kaloi karrexhatën në rrugën “Dritan Hoxha” dhe doli  në trotuar përballë “Zoja e Këshillit të Mirë”..duke vrapuar në drejtim të Zogut të Zi… në këtë moment pashë kolegun Nevaldo i cili po vinte në drejtim të këtij personi (Klodianit) dhe përpara dyqanit “pit stop” në pikën fillestare të lëvizjes është përplasur me atë fizikisht për pak sekonda. Unë isha rreth 100 metra larg. Pas pak sekondash përplasje pashë kolegun Nevaldo të shtrirë përtokë… dhe në këtë moment dëgjova dy të shtëna armësh. U afrova dhe ngrita kolegun Nevaldo dhe sëbashku jemi afruar te viktima i cili po rënkonte. Njoftuam sallën operative dhe kërkuam ambulancë”

Ndryshe dëshmon efektivi Nevaldo Hajdaraj për të njëjtën ngjarje.

“Unë i kam dalë 20-25 metra larg nga mbrapa…duke i bërë thirrje ndal policia. Në këtë moment personi më është kthyer dhe më ka drejtuar sendin e  dyshimtë që kishte në dorë. Në atë moment jam rrëzuar në tokë dhe ashtu sic isha kam bërë një qitje në drejtim të këmbëve të personit duke pasur frikë se mos më qëllonte. Më pas jam ngritur në këmbë dhe personi u tremb dhe u nis të hynte në një kthesë e cila ishte në një zonë në errësirë. Eca edhe pak përpara dhe bëra një qitje të dytë, para se personi të futej në kthesë. Personi ka bërtitur dhe pas pak metrash është rrëzuar në tokë. U afrua edhe kolegu Erjon Gjore dhe me kujdes u afruam te personi i shtrirë në tokë dhe pamë se rënkonte….”, ka deklaruar ai.

Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga emisioni VETTING evidentohet gjithashtu se, Nevaldo Hajdaraj qëllon drejt Klodianit me plumbin e parë i cili nuk e ka kapur objektivin pasi ka prekur qepenin e dyqanit në 150 centimetra lartësi, fakt që tregon se nuk është qëlluar drejt gjymtyrëve të poshtme dhe polici nuk kishte objektiv gjymtyrët e poshtme.

Kur dëgjoi krismën e parë, Klodiani trembet dhe tenton të futet me vrap në rrugicë. Por polici ngrihet dhe qëllon një tjetër plumb drejt tij po në lartësi duke e qëlluar nga pas shpine. Ky është një tjetër moment i cili ngjall mjaft dyshime për shkak se në këtë kohë policit nuk kanoset nga asgjë pasi rreziku i tij është duke u larguar. /mv.abcnews.al

Ndiqni emisionin e plotë- VETTING: