Mes atmosferës verore dhe rinore në shëtitoren e Himarës, vëmendjen e merr stenda e vetme dedikuar librit.
Mësuesi Ilir Bobo prej shtatë vitesh ndodhet në Himarë me stendën e tij, duke prezantuar me shumë pasion librat për të apasionuarit. Librashitësi thotë se libri për të është kulturë dhe vetë jeta, ndërsa vepra “Krim dhe Ndëshkim” është ndër më të preferuarat.
“Është viti i shtatë që prezantoj librin me shumë pasion. Kënaqësia ime është kur jap dhe marr emocione te qytetarët, sidomos kur recitoj ndonjë poezi. Të apasionuar pas librave, edhe pse mosha e tretë ka probleme, ata janë lexues, por ka edhe të rinj e të reja që lexojnë.
Teknologjia ka bërë punën e vet, rinia është në celular dhe lodhen të lexojnë qoftë edhe një paragraf. Libri është kulturë dhe vetë jeta! Kryeveprat e Dostojevskit, “Krim dhe Ndëshkim”, kanë qenë më të shiturit.” / abcnews.al /


