Dhuna në ndeshjen e Tiranës dhe Vllaznisë së femrave, reagon klubi kryeqytetas

schedule21:07 - 25 Nëntor, 2023

schedule 21:07 - 25 Nëntor, 2023

Këtë të shtunë është shënuar një ngjarje e shëmtuar në futbollin e femrave.

Ndeshja Tirana – Vllaznia është ndërprerë në mesin e pjesës së parë pas një sherri që ka ndodhur mes futbollisteve dhe stafeve të të dyja skuadrave.
Për këtë episod të rëndë në futbollin e femrave, ka reaguar klubi i Tiranës, duke hedhur akuza ndaj stafit dhe futbollisteve të Vllaznisë dhe kërkuar nga organet kompetente zbardhjen e ngjarjes.

Deklarata e Tiranës:

“Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja e femrave Tirana – Vllaznia, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë.

Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.

Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës si edhe futbollistet.

Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami.

Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike.

Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar.

Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport!”/ h.ll/abcnews.al