Dhërmiu pas krismave në Disko “Havana”, pushuesit kërkojnë siguri

schedule08:56 - 9 Korrik, 2018

schedule 08:56 - 9 Korrik, 2018

Ngjarja në një nga diskot më me emër në Dhërmi ka panikosur pushuesit. ABC News shkoi aty kur njerëzit nuk e kanë braktisur ende plazhin, por që ndjehen të pambrojtur dhe kërkojnë më tepër siguri.

Në Dhërmi pushuesit kanë vazhduar plazhin. Fëmijë të vegjël vrapojnë e argëtohen përgjatë bregut, por krismat e armëve në lokalin “Havana” nuk kaluan pa lënë gjurmë tek të rriturit.

“Autori 23 vjeçar është arrestuar, ndërkohë që uniformat blu kanë saktësuar se nuk ka patur të lënduar apo viktima, por ajo që ka ndikuar ka qenë terrorizimi te ata që kishin zgjedhur të kalonin një natë ndryshe në një nga lokalet e natës në Dhërmi”

Janë pamjet e panikut dhe të tmerrit të orëve të natës. Njerëz që ikin me shpejtësi dhe të frikësuar. Tavolina të dëmtuara dhe gota e shishe të thyera.

Lajmi i errësirës u përhap me shpejtësi dhe tek pushuesit e ditës. Më të shqetësuar janë për turistët e huaj sesa për vete.

“Turizmi i huaj është që të kenë kujdes për vete, për ardhmërinë tonë, për ekonominë tonë e vendin tonë”

Ka nga ata që besojnë se ky është normaliteti në vendin tonë. Me krime dhe ngjarje terrorizuese. I vjen keq për këtë.

“Fatkeqësisht nuk është se habitemi shumë, sepse të përmendësh fjalën normale nuk është normale, por jemi mësuar”

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, në Vlorë ka qenë vetë drejtori i Pergjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Ndoshta ishte me pushime, ose per takime me vartësit e tij në Vlorë. Por pushuesit këtu në Dhërmi nuk e ndjejnë rolin e vërtetë të Policisë për rend dhe siguri.

“Policia duhet të vendosë rregull kudo, sidomos te pushuesit”.

Kur 23 Emiljano Nino qëlloi katër herë me armë, disko ishte e mbushur me festues. Kundërshtari i tij thuhet se ishte djali i një personazhi publik, por policia nuk zyrtarizon asnjë fakt rreth asaj çfarë ndodhi në të vërtetë mes të rinjve. Ky është Dhërmiu pas  krismave të një nate të frikshme. /abcnews.al

Gazetar i ABC News, Vlorë: Elton Nika

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!