Detyra e parë e demokracive, është të vendosin rregull në shtëpitë e tyre

schedule19:47 - 4 Mars, 2021

schedule 19:47 - 4 Mars, 2021

Nga Toni Barber, Financial Times

Samiti i vitit të kaluar i G7-ës, pra i demokracive kryesore të industrializuara, ishte planifikuar që të mbahej në Camp David në Maryland, por pandemia imponoi anulimin e tij. Kësisoj, udhëheqësve të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar iu mohua kënaqësia e përtypjes së “dhjamit gjeopolitik” me Donald Trumpin, që në cilësinë e presidentit të atëhershëm të SHBA-së do të kishte organizuar samitin.

Dikush mund të kërkojë kot për dëshmi se Trump ose 6 udhëheqësit e tjerë u penduan për rastin e humbur. Samiti i këtij viti i G7-ës është vendosur të mbahet në qarkun anglez Cornwall, dhe shenjat janë se takimi i qershorit do të zhvillohet nën një atmosferë shumë të përmirësuar.

Kjo gjë është thuajse  e sigurt. Vetë presidenti Joe Biden e ka rikonfirmuar angazhimin e Uashingtonit ndaj aleatëve në të gjithë botën, dhe ika dhënë fund tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshjet dhe institucionet kryesore ndërkombëtare. Siç e theksoi Biden muajin e kaluar në Konferencën e Sigurisë në Mynih:“Amerika është rikthyer!”.

Lehtësimi në kryeqytetet e tjera të G7-ës ndaj rikthimit të SHBA-së tek multilateralizmi është i dukshëm. Por rinisja e samiteve të G7-ës, të cilët kanë përfshirë përfaqësues të BE-së  që nga viti 1977, dy vjet pas fillimit të formatit, nuk do të jetë tamam e njëjtë si më parë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, planifikon që të ftojë në të udhëheqësit e Australisë, Indisë dhe Koresë së Jugut, duke krijuar atë që ai pretendon të jetë një grupim“Demokratik i të Dhjetëve”. Nisma e Johnson, nuk duhet të ngatërrohet me planin e administratës Biden për një “samit të demokracisë”.

Presidenti i ri amerikan u zotua gjatë fushatës së tij elektorale, se do të mbante një samit të tillë gjatë vitit të tij të parë në detyrë. Gjithsesi, propozimi i tij ka qartazi diçka të përbashkët me atë të Johnson, teksa secili prej tyre thekson nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara në një botë të karakterizuar nga autoritarizmi në rritje dhe nga një rivaliteti i madh mes fuqive.

Sigurisht që ky është rasti ku SHBA-ja dhe aleatët e saj, të japin alarmin për demokracinë. Freedom House, një organizatë e paanshme, e financuar nga qeveria amerikane, thotë se2019-ta ishte viti i 14-të radhazi në të cilin liria globale ishte në rënie.

Në mënyrë të ngjashme, World Justice Project, një nismë e shoqërisë civile me seli në Uashington, vlerëson se sundimi i ligjit u përkeqësua, ose në rastin më të mirë mbeti i njëjtë gjatë vitti 2019 në shumicën e vendeve në çdo rajon të botës.

Megjithatë, nismat Johnson dhe Biden do të kenë nevojë për përgatitje të kujdesshme,nëse nuk dëshirohet që ato të përfundojnë si ushtrime boshe dhe përçarëse të marrëdhënieve me publikun. Një nga problemet, ka të bëjë me cilësinë e demokracisë në skemën D10 të Johnson, apo përbërjen e klubit më të madh të vendeve mike, të cilat synon të mbledhë administrata Biden.

Gjithashtu, që të dyja nismat rrezikojnë që të kthehen në fronte anti-kineze, të përdorura për promovimin e interesave gjeopolitikë më  shumë sesa të demokracisë. Kjo gjë do të ngatërronte qëllimin e supozuar të dy propozimeve, dhe gati me siguri do të krijonte mosmarrëveshje brenda klubeve të reja, veçanërisht midis anëtarëve të G7-ë s të Evropës kontinentale, që nuk duan t’i bashkohen një “kryqëzate”kundër Kinës.

E vërteta e hidhur për D10-ën e Johnson është se ajo do të përmbajë disa vende ku standardet e demokracisë dhe sundimit të ligjit kanë rënë së fundmi. Në mënyrë të turpshme, një nga këto vende ishte vetë SHBA-ja nën presidentin Trump. Një tjetër ishte Mbretëria e Bashkuar, ku qeveria e Johnson pezulloi në mënyrë të paligjshme parlamentin në vitin 2019,teksa kërcënoi vitin e kaluar të thyente ligjin ndërkombëtar, si një mënyrë për t`i dhënë fund ngërçit në bisedimet me BE-në mbi Brexit.

Një shembull i tretë është India, nën partinë qeverisëse të Kryeministrit Narendra Modi Bharatiya Janata. Dikur, ky vend etiketohej si demokracia më e madhe në botë. Por largimi i tij nga normat demokratike nën drejtimin e BJP, e bën më të vështirë bërjen e një dallimi të qartë midis Indisë dhe sistemeve më autoritare.

Porsa i përket samitit të demokracisë së Joe Biden, një nga pyetjet më delikate, është se cilat vende duhet të ftohen apo të përjashtohen. Për shembull, a duhet të jenë aty Brazili dhe Ukraina, vetëm pse janë të rëndësishme për interesat gjeopolitikë të SHBA-së, me gjithë hapat e tyre të gabuara mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës?

Po Hungaria apo Gjeorgjia? Minimalisht, presidenti Biden duhet të jetë i sinqertë në lidhje me tërheqjen e demokracisë liberale amerikane nën Donald Trump. Ai duhet që ta bëjë të qartë se nën udhëheqjen e tij, Uashingtoni është i gatshëm të dëgjojë dhe jo thjesht t`u predikojë të tjerëve çështjet e lirisë.

Në mënyrë ideale, Biden dhe udhëheqësit e tjerë, nuk do të tërhiqen nga adresimi i çështjes më thelbësore: pra që kërcënimi ndaj demokracisë nuk vjen vetëm nga regjimet autoritare armiqësore jashtë vendit, por nga udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike në vendet tona, të cilët i shkelin më pas normat liberale duke u bazuar tek një elektorat i zemëruar, duke denigruar institucionet e establishmentit dhe ushtruar presion ndaj pakicave.

Biden bëri vërejtjen e duhur në fjalimin e tij në Mynih, kur theksoi se nuk ka ndërmend që ta shfrytëzojë temën e demokracisë për të rindërtuar “blloqet e ngurtë të Luftës së Ftohtë”. Pavarësisht të gjitha dyshimeve të  saj ndaj Kinës, dhe një bashkëpunimin ushtarak në rritje me SHBA-në, India është një vend me njëmendje shumë të pavarur, që nuk do të donte asnjë pjesë të një skeme të tillë.

Por edhe kjo tregon gjithashtu limitet e idesë së Johnson për krijimin e D10-ës. Është e diskutueshme nëse 10 vendet, kanë mjaft të përbashkëta mes tyre, për t’u bashkuar plotësisht në vlerat demokratike ose në strategjinë përballë Kinës.

Ndaj, skema duket kryesisht si një përpjekje e Johnson për të forcuar parullën e epokës së Brexit për një politikë të jashtme të “Britanisë globale”. Nëse kjo do t’u bëjë përshtypje qeverive të  tjera brenda dhe jashtë Evropës, kjo është një çështje tjetër. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al