Detaje për shqiptarët e arratisur: Të rrezikshëm, njëri prej tyre vrasës me pagesë

schedule09:13 - 10 Maj, 2018

schedule 09:13 - 10 Maj, 2018

Policia greke vijon operacionet për kapjen e dy të burgosurve shqiptarë të arratisur në portin e Pireut. Ata janë identifikuar si janë Alfons Ndoci dhe Juliano Halili. Ky i fundit konsiderohet shumë i rrezikshëm pasi është dënuar me dy burgime të përjetshme për shkak të disa vrasjeve makabre.

Policia greke vijon operacionet dhe hetimet për të zbardhur arratisjen e 4 të burgosurve shqiptarë, 2 prej të cilëve të arrestuar menjëherë në vendngjarje, gjatë një transferimi të tyre me furgon në afërsi të portit të Pireut. Për këtë çështje, mediat greke, duke cituar autoritetet kanë dhënë detaje të reja si dhe kanë publikuar identitetin e dy të arratisurve. Ata janë Alfons Ndoci dhe Juliano Halili, 35 vjeç, i njohur ndryshe me emrin “Niko”. Pikërisht ky i fundit konsiderohet një person shumë i rrezikshëm për komunitetin për shkak të kaluarës së tij kriminale.

Halili është dënuar nga drejtësia greke dy herë me burgim të përjetshëm për disa vrasje dhe njihej nga hetuesit për natyrën e tij makabre në krimet e kryera. Në Nëntor të 2011-s, ai kishte kryer vrasjen e bashkëatdhetarit Selim Mesa në Kallamata. Krimi makabër ishte kryer në sy të fëmijës rreth 3 vjeç, të cilin më pas e kishte ekzekutuar. Ajo vrasje ishte porositur lidhur me prishjen e pazareve të kokainës në Greqi.

Aktualisht policia po kontrollon disa vende të mundshme ku mund të kenë lëvizur shqiptarët e arratisur si dhe po verifikon personat e afërt me Halilin dhe Ndocin. Ndërkohë, hetuesit tregojnë se 4 shqiptarët prej shumë kohësh po planifikonin arratisjen, duke parë që 9 të tjerët që gjendeshin në furgonin e policisë nuk kanë lëvizur nga automjeti. Gjithashtu po shqyrtohet se si ata kanë arritur që të hapin prangat. Shqiptarët do të transferoheshin nga burgu i Koridhalos për në burgun e ishullit të Kretës. Por në momentin që automjeti i policisë mbërriti në portin e Pireut për të hipur në traget, ata përfituan nga rasti dhe tentuan të largoheshin, por vetëm dy prej tyre ia dolën. Hipoteza e hetuesve përforcohet më shumë pasi një dëshmitar tha se shqiptarët kishin bashkëpunëtorë të jashtëm që po i prisnin me makina.