Dështimet e modelit italian, pse u mund sistemi shëndetësor në Lombardi

schedule22:49 - 28 Prill, 2020

schedule 22:49 - 28 Prill, 2020

Italia kishte fatin e keq të ishte vendi i parë perëndimor që u godit nga pandemia e Covid-19 dhe bilanci zyrtar flet për më shumë se 26 mijë viktima, më pak vetëm se numri i regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bilancin global të viktimave. Rasti i parë italian u regjistrua në 21 shkurt, në një moment kur Organizata Botërore e Shëndetësisë këmbëngulte ende për faktin se virusi ishte i përmbajtshëm dhe jo aq ngjitës sa gripi.

Virologë dhe epidemiologë thonë se ajo që nuk funksionoi në Lombardi, do të studiohet për disa vite, meqenëse epidemia shkatërroi një sistem mjekësor që prej kohësh konsiderohet si një nga më të mirët në Europë; në një kohë që në Veneton fqinje impakti ishte shumë më i kontrolluar. Associated Press i ka dedikuar një reportazh fenomenit që njihet si “stuhia e përsosur” në Lombardi.

Prokuroritë ndërkohë po vendosin ende nëse do të veprojnë për përgjegjësitë penale për qindra viktimat në azilet e të moshuarve, shumë prej të cilëve as nuk janë regjistruar në bilancin zyrtar lombard, gjysma e totalit në Itali.

Përkundrazi, mjekët dhe infermierët lombardë në linjë të parë shihen si heronj, sepse kanë rrezikuar jetën e tyre duke mjekuar të sëmurët në kushte të jashtëzakonshme stresi, lodhjeje, izolimi dhe frike. Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u shpreh se është një mrekulli që ata kanë shpëtuar kaq shumë jetë.

Italia ishte vendi i parë europian që ndaloi të gjithë trafikun ajror me Kinën dhe në 31 janar vendosi skanera në aeroporte për të kontrolluar temperaturat e pasagjerëve që hynin në territorin italian. Por në 31 janar ishte shumë vonë tashmë. Epidemiologët tashmë thonë se virusi ka nisur të qarkullojë në Lombardi që në fillim të muajit janar, ndoshta dhe më parë.

Mjekët që në muajin janar e kuronin si pneumoni dhe nuk e dinin se bëhej fjalë për koronavirus, meqenëse sipmptomat ishin të ngjashme dhe mendohej se virusi ishte ende i mbyllur në Kinë. Dhe pasi Italia regjistroi rastin e parë në 21 janar, mjekët nuk e kuptuan se si Covid-19 mund të shfaqej, me disa pacientë që po përjetonin një përkeqësim të shpejtë të aftësive të tyre në frymëmarrje.

Pas një faze stabilizimi, shumë pacientë përkeqësoheshin shumë shpejt. Pneumologu italian Mauricio Marvizi shprehet për Associated Press se në atë moment nuk kishin informacionet e duhura klinike, dhe se nuk kishte asgjë në letërsinë mjekësore.

Më pas repartet e terapisë intensive në Lombardi po mbusheshin vetëm pak ditë pas zbulimit të rasteve të para në Itali, shumë mjekë  të bazës u përpoqën të mjekonin dhe të monitoronin pacientët në shtëpi. Kjo strategji rezultoi vdekjeprurëse dhe shumë prej tyre ndërruan jetë në shtëpi ose menjëherë pas shtrimit, pasi kishin pritur shumë gjatë para se të kërkonin një ambulancë.

Besimi në asistencën mjekësore shtëpiake ndoshta mund të jetë elementi thelbësor për të kuptuar mesataren e lartë të vdekshmërisë në Itali.

Italia u detyrua të drejtohej tek asistenca në shtëpi dhe për shkak se nuk kishte shumë vende në terapi intensive. Si pasojë mjekët e bazës e gjetën veten në linjë të parë duke u përballur me pacientë të prekur nga virusi: një ushtri profesionistësh, për më tepër autonomë, që punojnë Brenda sistemit shëndetësor publik por jashtë rrjetit spitalor rajonal italian. Pastaj vetëm ata me simptoma të forta i nënshtroheshin testit, meqenëse laboratorët lombardë nuk ishin në gjendje të kryenin më shumë, mjekët e familjes nuk e dinin nëse ishin të infektuar apo jo dhe aq më pak pacientët e tyre.

Me kaq pak informacione klinike në dispozicion mjekët nuk kishin as dhe linjat e udhëzimit për atë se kur mund të shtronin pacientët apo kur t’i dërgonin tek specialistët. Dhe duke qenë jashtë sistemit spitalor, nuk kishin të njëjtën qasje për maskat dhe mjeteve të tjera mbrojtëse.

Doktoresha Laura Tureta nga Vareze thotë për Associated Press se rajoni ishte shumë prapa me furnizimet me mjetet mbrojtëse, shpesh të papërshtatshme sepse herën e parë mbërritën vetëm 10 maska kirurgjikale dhe doreza. Dhe sigurisht duke pasur parasysh kontaktin e ngushtë me pacientët kjo nuk ishte mënyra e duhur për të mbrojtur mjekët

Në 7 prill shoqata e mjekëve lombardë u dërgoi autoriteteve rajonale një letër ku listoheshin shtatë gabimet në menaxhimin e krizës, mes të cilave binin në sy mungesa e testeve për personelin mjekësor, mungesa e materialeve mbrojtëse dhe mungesa e të dhënave për përhapjen e virusit. Qeveria rajonale hodhi poshtë kritikat duke mbrojtur përpjekjet e bëra. Por agjencia për mbrojtjen civile pranoi se Italia varej nga importet dhe donacionet e materialeve mbrojtëse pasi nuk kishte mjaftueshëm. Rreth 20 mijë mjekë italianë janë infektuar me koronavirus dhe mbi 150 kanë ndërruar jetë

Dy ditë pas regjistrimit të rastit të parë Italian në provincën lombarde të Lodit, duke shkaktuar një karantinë në 10 qytete, një tjetër rast pozitiv u regjistrua në Alzano, në provincën e Bergamos. Ndërsa urgjenca e spitalit të Lodit u mbyll, urgjenca në Alzano u rihap pak orë pas pastrimit, duke u kthyer në një epiqendrat kryesore të infektimit. Në 2 mars, Instituti I Lartë I Shëndetësisë rekomandoi mbylljen e Alzanos dhe Nembros njësoj si në Lodi. Por autoritetet politike nuk kanë ndjekur asnjëherë këtë rekomandim për karantinim, duke lejuar që infektimi të përhapej për javën e dytë radhazi deri sa I gjithë rajoni I Lombardisë do të bllokohej në 7 mars.

Lombardia ka një të gjashtën e 60 milion banorëve të Italisë dhe është rajoni më I populluar në vend. Ka dhe një numër prej më shumë se 65-vjeçarësh më të lartë se çdo rajon tjetër Italian, 20 për qind të azileve të të moshuarve në vend, pra një minë me sahat për infektimet me Covid-19.

Në 28 shkurt, një javë pas fillimit të epidemisë me më shumë se 100 raste në Bergamo, dega e provincës së Konfindustria nisi një fushatë në rrjetet sociale në gjuhën angleze “Bergamo vrapon”, për të qetësuar klientët. U këmbëngul në faktin se epidemia nuk ishte më e keqe si kudo tjetër, se ndjesia e infektimit si pasojë e numrit të lartë të rasteve ndodhte për shkak të testeve të shumta dhe se prodhimi nuk ishte prekur fare nga situata

Kryebashkiaku I Milanos deklaronte: Milano nuk ndalon. Sot Lombardia vijon të regjistrojë një mesatare prej 950 infeksionesh në ditë, ndërsa në rajone të tjera kalon nga dhjetëra deri në 500, me pjesën më të madhe të rasteve të regjistruara në azilet e të moshuarve. Italia po përgatitet për rihapjen e 4 majit dhe Lombardia ndoshta do të jetë e fundit që do të hapet totalisht me 73 mijë rastet e saj të konfirmua, 70 për qind e totalit italian. Ndërsa vlerësohet se shifra reale mund të jetë 10 herë më e lartë

Ndoshta asnjë iniciativë nuk tregon më mirë reagimin e rrëmujshëm ndaj pandemisë së Covid-19 në Itali, më shumë se një spital kampi me 200 shtretër I ndërtuar në më pak se dy javë në qendër të Milanos. Spitali u inagurua me bujë të madhe në 31 mars, fryt I një fushate për mbledhje fondesh prej 21 milion eurosh, që u drejtua nga guvernatori I Lombardisë në përpjekje për të lehtësuar presionin në terapinë intensive të rajonit.

Agjencia kombëtare për mbrojtjen civile e kundërshtoi planin, duke theksuar se nuk do të pajisej dot në kohë me ventilator apo personel. Agjencia preferonte disa çadra më të vogla të vendosura jashtë spitaleve dhe një program për të zhvendosur diku tjetër pacientët në gjendje kritike për jetën. Në fund spitali kamp I Milanos nuk u përdor pothuajse fare, duke pritur vetëm dhjetëra pacientë. Që kur u inagurua, Lombardia pa të zbriste ndjeshëm presioni në repartet e terapisë intensive me vetëm 700 persona që ende sot kanë nevojë për mjekim intensiv.

Qindra të moshuar kanë humbur jetën në Lombardi dhe në të gjithë Italinë në atë që një zyrtar I OBSH-së e cilësoi si një masakër tek kategoria më e prekshme nga virusi. Prokuroritë po hetojnë për dhjetëra azile të moshuarish dhe për masat e marra nga autoritetet shëndetësore vendore si dhe nga qeveritë rajonale, masa që mund të kenë përkeqësuar problemin. Lombardia ka më shumë azile për të moshuarit se çdo rajon tjetër, me të paktën 24 mijë të moshuar dhe ka regjistruar më shumë viktima në këto struktura se rajonet e tjera.

Në mënyrë të veçantë prokuroritë janë përqendruar në vendimin e 8 marsit të qeverisë rajonale për të lejuar shtrimin e të infektuarve e Covid-19 në azilet e të moshuarve për të liruar shtretërit në spitale. Rajoni thotë se ka kërkuar që azilet e të moshuarve të garantonin izolimin e pacientëve, por nuk është e qartë se kush është përgjegjës për këtë ose nëse ka pasur kontrolle. Dhe më parë personeli I disa azileve për të moshuar ishte ankuar se drejtuesi ia kishin ndaluar përdorimin e maskave pasi mund të frikësonin të moshuarit që jetonin në këto struktura.

Një dekret rajonal I 30 marsit, gjithnjë për të lehtësuar presionin në repartet e terapisë intensive në Lombardi, udhëzonte drejtuesit e azileve për të moshuarit që të mos shtronin të sëmurët mbi 75 vjeç, në rast se këta kishin probleme të tjera shëndetësore. Dekreti bënte të qartë se duhej t’i kuronin aty ku ndodheshin për të shmangur rrezikun e përkeqësimit gjatë transportit apo pritjes në urgjencën e spitalit.

Për të moshuarit në një azil në Nembro, një nga qytetet më të prekura në provincën e Bergamos, dekreti ishte njësoj me një dënim me vdekje. Por nuk ishte rasti I parë dhe as I fundit që iu dha drejtuesve të azileve ndjesinë se ishin të braktisur.

Kur në 24 shkurt drejtoria ndaloi vizitorët në përpjekje për të mbrojtur të moshuarit dhe personelin nga infektimi, autoritetet shëndetësore vendore reaguan duke kërcënuar me sanksione dhe anulimin e akreditimit meqenëse I ndalonin të vizitonin familjarët, ashtu si pohohet nga drejtori i ri i strukturës, Valerio Poloni për Associated Press. /abcnews.al/