Laçi kërkon të vijojë ecurinë pozitive. Pas fitores me Teutën në mesjavë, tanimë kërkohet të thyhet edhe Vllaznia. Trajneri Armando Cungu e tha hapur pas ndeshjes me durrsakët: “Nëse nuk mposhtim edhe Vllazninë, atëherë fitorja me Teutën nuk ka vlerë”.
Bardhezinjtë ndërkohë i bëjnë thirrje tifozëve të jenë të pranishëm në stadium sa më të shumtë. Kundër Teutës ishte i pranishëm një numër i vogël fansash dhe kërkohet që kjo situatë të ndryshojë. Hyrja do të jetë me bileta, që kushtojnë 200 dhe 500 lekë.
“Ekipi është rikthyer, tani është radha juaj! Nesër, e diel, prej orës 13:00 përballemi me Vllazninë. Nisim fazën e dytë dhe dëshirojmë shumë që ta nisim në mënyrën e duhur, me fitore. Që Laçi të ecë përpara, duhet ME ÇDO KUSHT TË JEMI SË BASHKU në çdo betejë. Ftoni miqtë tuaj dhe mos mungoni, ejani në stadiumin për NGJYRAT, për QYTETIN, dhe për DJEMTË tanë, të cilët japin maksimumin në çdo ndeshje! PËR FITOREN E RADHËS! PARA LAÇI!”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e klubit kurbinas. /abcnews.al



