Deklarata e Ramës, irritohet Beogradi: Ta shpallim “non grata”

schedule22:51 - 19 Shkurt, 2018

schedule 22:51 - 19 Shkurt, 2018

Deklarata e kryeministrit Rama për një president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë ka acaruar Beogradin. Të trembur nga “makthi” i Shqipërisë së Madhe, ministrat serbë kanë propozuar shpalljen e tij “non grata”.

Nga kompromisi me shqiptarët e deri tek shpallja e kryeministrit, Edi Rama, persona non grata. Reagimet në daklaratën e Prishtinës të kryeministrit Rama kanë ardhur nga dy ministra me parti të vogla në qeverinë serbe. Nenad Popoviç, ministër pa portofol ka kërkuar që të dënohen deklaratat e Ramës dhe me notë proteste ambasadorit të shpallet i padëshiruar pasi në tokën serbe dëshiron Shqipërinë e Madhe. Ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ka thënë se Shqipëria e Madhe është kërcënim për Ballkanin, andaj duhet ndaluar.

Aleksandër Vulin, ministër i Mbrojtjes në Serbi: “Për këtë unë kam dhënë idenë time, për kufizim mes nesh dhe Shqipërisë së Madhe në Kosovë. Si t’ua sqarojmë serbëve që ata të mos kenë një president dhe një politikë të jashtme, pasi edhe në jetojmë në shtete të ndryshme”.

Dialogu i brendshëm për Kosovën ka vazhduar në Serbi dhe kjo temë u rikthye sërish. Zgjidhje e kompromisit është ideja e re. Presidenti, Alleksandar Vuçiç, dy ditët e fundit ka kërkuar kompromis disa herë për çështjen e Kosovës. Ajo se çfarë ka ndërmend Beogradi zyrtar është pyetja me pikëpyetjen kryesore.

Maja Bjelos, analiste: “Flitet më së shumti për Serbinë këtu, për një zgjidhje pa zgjidhje të qartë. Kur politikanët pyeten për zgjidhje shmanget përgjigja e qartë. Kosova dhe Serbia do të rikthehen në tavolinat e dialogut në Bruksel të hënën e ardhshme për një tentim të ri pas ndërprerjes”.

Vendi ku të gjithë e shohin zgjidhjen është megjithatë Brukseli, ku Kosova dhe Serbia do të kthehen javën e ardhshme.

Idro Seferi: “Serbia e ka parë si të mundshme përfshirjen e Shqipërisë disa herë në dialog me Kosovën, madje edhe si garantuese të zgjidhjes”.

Gazetar i ABC News: Idro Seferi, Beograd