Këtë të premte monologu i Mustafa Nanos u fokusua në deklaratën e ish ministrit të jashtëm grek Theodoros Pangallos për televizionin “Sky”, në lidhje me ngjarjen në Bularat, ku u shpreh se çdo person që del me armë, të vritet direkt nga policia, siç ndodh edhe në vendet e tjera të botës.
Sipas Nanos, ish-ministri i jashtëm grek foli për të vërtetën në lidhje me vrasjen e Kaçifos, duke mbrojtur të vërtetën i bëri shërbim vendit të vet. Ai apeloi që të kemi s amë hsumë njerë ztë tillë, që i shërbejnë paqes në Ballkan.
Monologu i Mustafa Nanos në Provokacija:
Ish ministri i jashtëm grek Theodoros Pangallos dha një intervistë për televizionin Sky para dy ditësh. Intervista ishte e shkurtër. Zgjati vetëm dy-tre minuta. Ishte lidhur me ngjarjen në Bularat. Dhe aty ai tha: “Thuhet se Konstandin Kaçifa shkoi të vinte flamurin grek, por kjo nuk është e vërtetë. Unë kam gjetur në internet fotografi të Bularatit dhe Derviçanit, dy fshatrat në Dropull, ku ka minoritet grek, ku në festat zyrtare të Greqisë rrugët janë të mbushura me ngjyrat bardhë e blu të flamurit grek. I kanë dekoruar me aq shumë flamuj sa ta shpifin. Në këtë pikë, ndërhyn moderarori, një gazetar me demek patriot, një nga ata gazetarët, të cilëve u duket vetja si gardianë të nderit kombëtar, dhe me të cilët është e mbushur Greqia (dhe Shqipëria, sigurisht; madje, në Shqipëri ka më shumë gazetarë që janë gardianë të nderit kombëtar), ndërhyn gazetari pra dhe i thotë: Zoti Ministër ju falënderojmë, duhet ta mbyllim. Por Pangallosi i përgjigjet: Jo, jo, nuk mund ta mbyllni sapo unë filloj t’i përgjigjem pyetjes suaj. Dhe unë po ju pyes: Pse u desh që ta vinte atë flamur, pse pikërisht u desh të vinte dikush nga Greqia për ta vënë, kur aty ka aq persona zemërgjerë shqiptarë, dhe grekë të minoritetit, dhe e vendosin vetë këtë flamur. Dhe e dyta: a kishte apo nuk kishte armë? A mund të më përgjigjeni për këtë? Nëse kishte, dhe ju vetë po thoni se kishte, atëherë unë jam i mendimit që çdo person që del me armë, të vritet direkt nga policia, siç ndodh edhe në vendet e tjera të botës.”
Shikoni, e kam veçuar këtë ndërhyrje të Pangallosit, sepse ai thotë dhe mbron të vërtetën. Dhe ta bësh këtë në një moment të tillë, kur turma histerike në Greqi, në rrugë apo në rrjetet sociale, jetojnë me idenë se bashkë me Kaçifan u është vrarë edhe nderi kombëtar, lipset të kesh trimëri. Kjo është trimëria që na duhet në Ballkan. Ne i publikuam fjalët e Pangallosit, por nuk e di sa vetë kanë pyetur veten: a kemi ne një ish ministër të jashtëm shqiptar që do të kishte guximin për të mbrojtur të vërtetën në një situatë të tillë? Përgjigjen besoj e dini. Nuk kemi asnjë ish ministër që do ta bënte këtë. Nuk kemi asnjë ish ministër të jashtëm që do ta mbronte të vërtetën, nëse kjo e vërtetë do të vinte ndesh me histerinë nacionaliste të momentit. Dhe në përgjithësi, ata që interesohen për të vërtetën në rrethana të tilla numërohen me gishtat e dorës. Ja, tani po ju pyes juve. Sa vetë keni parë të qortojnë atë banderolën e ekspozuar në stadium, mes tifozëve të Partizanit, në të cilën ishte shkruar: Një grek më pak, një bastard më pak (ja, le ta shohim në ekran)? Dini të më thoni sa vetë? Jua them unë. Unë kam dëgjuar vetëm dy vetë ta thonë. Dhe njëri prej tyre e thoshte me gjysmë zëri. Në një kohë që do duhej ta dënonim të gjithë, njëzëri. Sepse ishte një mesazh i shëmtuar. Madje, për ta thënë me fjalët e Pangallosit, i shpifur.
Unë e di, një banderolë e tillë në shkallët e stadiumit nuk është një gjë e rrallë dhe e padëgjuar në Ballkan. Në raste të tjera, viktima të gjuhës së urrejtjes kemi qenë edhe ne shqiptarët. E që t’i bëjmë nder së vërtetës, duhet të themi se ne shqiptarët jemi si rregull viktimat e një gjuhe të tillë. Por kjo nuk duhet të na pengojë të themi se ajo banderolë ishte një gjë mizerabël. Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për ta dënuar atë gjest. Atë gjest nuk duhet ta bëjmë për të njëjtën arsye që nuk do donim që të tjerët ta bënin ndaj nesh. Është një fjalë e urtë, që quhet Rregulli i Artë, dhe që gjendet në të gjitha kulturat e mëdha të njerëzimit. Dhe ky Rregull i Artë thotë: Sillu ashtu si do doje që të tjerët të silleshin me ty. Në një formë a në një tjetër, kjo gjë thuhet në ungjijtë e Testamentit të Ri, në hadithet e myslimanëve, në filozofinë hebraike, konfucianiste, budiste, hinduiste, sikhiste, jainist-e, zarathustriane. Dhe në filozofinë e grekëve të lashtë, me që ra fjala.
Po kthehem te ndërhyrja e Pangallosit, e cila u publikua nga të gjithë në Shqipëri, nga gazetat, portalet, televizionet, radiot. Dhe u publikua si një ndërhyrje në favor të interesit shqiptar. E publikuam, sepse na u duk që në këtë rast Pangallosit i foli damari shqiptar, që ai trashëgon prej të parëve. Në të vërtetë, do duhej ta publikonim me idenë që Pangallosi në këtë rast mbrojti të vërtetën, dhe se duke mbrojtur të vërtetën, i ka bërë një shërbim të mirë vendit të vet. Dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Sepse njerëz të tillë i shërbejnë paqes në Ballkan. Po e mbyll me një chapeau për Theodoros Pangallosin, të shoqëruar me dëshirën që edhe në Shqipëri të kemi sa më shumë Pangallosa e sa më pak Kaçifa, në një kohë që e di që Pangallosa nuk kemi asnjë e Kaçifa kemi me mijra. /abcnews.al