Pas parlamentit, debati për shembjen e Teatrit Kombëtar u zhvendos në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Këshilltarët demokratë vendimin për të shembur godinën ekzistuese e cilësuan antikushtetues dhe braktisën mbledhjen. Ndërkohë, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, deklaroi se teatri i ri do të ndërtohet pasi e duan aktorët.
17 vendime kryesisht për shpërndarje të ndihmës ekonomike, pagesa për aftësinë e kufizuar apo ndryshime të emrave të shkollave e rrugëve u miratuan në mbledhjen e fundit të këtij sesioni në këshillin bashkiak të Tiranës. Projektvendimet morën vetëm votat e socialistëve në këshill.
Opozita braktisi mbledhjen në kundërshtim të shembjes së Teatrit Kombëtar. Kryetari i këshilltarëve të djathtë përpara largimit nga salla deklaroi se ligji i posaçëm u miratua në parlament në shkelje të Kushtetutës. Këshilli bashkiak, i cili vendos për lejimin ose jo të tjetërsimit të truallit u shmang sipas Çollakut pasi nuk arrihej shumica e cilësuar.
Audicion për teatër e ka quajtur qëndrimin e opozitës kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili iu përgjigj akuzave ndonëse këshilltarët demokratë dhe ato të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ishin në sallë. Teatri do të ndërtohet deklaroi Veliaj ashtu siç u ndërtua edhe këndi i lojrave në Parkun e Liqenit dhe Sheshi “Skënderbej”, ndërkohë që iu kthye kohës në kohën që qeverisnin demokratët.
Me vendimin e bashkisë nuk ishte dakord as pëfaqësuesja e vetme e Frymës së Re Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Mirela Bogdani, e cila deklaroi se nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e koalcionit të majtë, por kalon në opozitë./abcnews.al