Daku “godet” sërish/ Sulmuesi shënon, goli i katërt në po aq ndeshje me Rubin

schedule14:23 - 10 Gusht, 2025

schedule 14:23 - 10 Gusht, 2025

Mirlind Daku nuk ndalet në atë që mund të jetë sezoni më i mirë në karrierën e tij. Soulmuesi i kombëtares së Shqipërisë gjeti golin e tij të katërt me Rubin Kazan në po aq javë të luajtura deri tani në Premiere Ligën e Rusisë.

Futbollisti 27 vjeçar realizoi rrjetën e vetme në humbjen e thellë 5-1, që skuadra e tij pësoi kundër CSKA të Moskës. Një gol nderi, por shumë i rëndësishëm në aspektin personal dhe që konfirmon formën e shkëlqyer të Mirlind Dakut.

Në sezonin e ri të futbollit rus, ai numëron gjashtë realizime në pesë ndeshje, duke llogaritur edhe ato në Kupë. Po ashtu, ai është në bindshëm që tani në garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa vijon të thellojë rekordet me Rubin Kazan.

Pas ndeshjes së fundit, Mirlind Daku ngjitet në kuotën e 29 golave në 58 ndeshje me Rubin, që nga koha kur debutoi në Premier Ligën e Rusisë.

Statistika që mund të jenë të rëndësishme edhe për kombëtaren e Shqipërisë, e cila do të kthehet në fushë në shtator për dy ndeshjet e radhës në eliminatoret e Botërorit 2026 kundër Serbisë dhe Letonisë.

Sylvinjo shpreson të ketë në formë të gjithë lojtarët dhe në këtë aspekt, mund të mbështetet te Mirlind Daku.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!