“Çunat trima të “Ndraghetas”, Hoxha në ABC: Skema e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit

schedule13:12 - 25 Janar, 2021

schedule 13:12 - 25 Janar, 2021

Gazetari Artan Hoxha në studion e ABC foli për përgjimet e “Ndraghetas” si edhe debatin që është krijuar ditët e fundit në Tiranë.

Përballë gazetares Juli Xhokaxhi, gazetari tha se problematika më e madhe mbetet tek fakti se ende në Shqipëri nuk ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar.

“Nuk kemi asnjë politikan apo zyrtar të lartë që ka shkuar në burg. Sot më intereson fenomeni, emrat në Shqipëri nuk goditen”, shprehet Hoxha.

Lexo edhe: Artan Hoxha: Politikanët e korruptuar problemi i shqiptarëve, “donatori” është i njëjtë për të gjithë

Teksa përmend ngjarjet që kanë ndodhur ndër vite në Shqipëri, 21 janari, Gërdeci apo edhe kultivimi i kanabisit… ai shprehet se nuk ka asnjë autor të dënuar.

Gjithashtu ai thekson se e vetmja industri që është vënë re duke lulëzuar është ndërtimi dhe burimet financiare nuk dihen, gjë e cila shpeshherë është parë si fenomen shqetësues, por që nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.

Lexo edhe: “Ndrangheta”, gazetari: Nuk na duhet Niku por peshqit e mëdhenj, SPAK i ka elementët për hetim

Gjatë intervistës ai flet edhe për skema e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.

“Ata kanë kontakt me një grup shqiptar i cili ka kontakt me një person që është quajtur sekser. Gjithashtu përpiqen të gjejnë një kompani që nuk i ka dalë emri askund, por që është në vështirësi financiare. Ndërkohë i vjen oferta ku edhe i bëhet me dije se trualli është gjetur, paratë i jepen kompanisë së paekspozuar e cila e ka të lehtë të marrë tenderin sepse nga pas janë lidhjet direkte me pushtetarët. Asnjëherë nuk është kundërshtuar ndonjë leje ndërtimi.

Fitimi është sigurisht 5-6 fish më i madh se investimi dhe në këtë mënyrë ka për të paguar 20% , gjithashtu mund të korruptosh policë apo prokurorë duke u bërë i këta grupe të paprekshëm. Krijohen lidhjet në këtë mënyrë. Pra siç edhe e shohim nuk futen dot kompanitë serioze në Shqipëri”, sqaroi Hoxha.

Gazetari sqaroi se këto ambiente blihen nga persona që janë të lidhura me krimin.

“Kush mund t’i mbajë ambiente për një kohë të gjatë pa i vënë në punë? Çunat trima të “Ndraghetas” ose këta të tanët që janë të lidhur. Krimi i organizuar këtë bën, gjen kompani që kanë probleme. Pasi këta kanë dy rrugë ose të falimentojnë ose të presin ndonjë injektim”, shprehet ai.

Hoxha kujton edhe operacionin e zhvilluar ndaj lojërave të fatit, ndërsa shton se vendimi nuk është zbatuar sepse sot janë prezentë kudo.

Më tej ai shton se sot këto grupe nuk paguajnë asnjë taksë, duke theksuar se pushtetarët sipas tij janë qartësisht të korruptuar.

Sakaq ai shton se ndërtohet kryesisht në Tiranë, Vlorë, Sarandë, duke shtuar se janë të përfshirë tek energjetika dhe pastrimi i plehrave.

Ndërsa shprehet pesimist për kapjen e autorëve kryesore, Hoxha thekson se SPAK ende nuk ka filluar punë sipas tij, dhe se për sa kohë nuk do të kemi asnjë politikan të nivelit të lartë në burg ai thekson se nuk do të goditet as korrupsioni.

/abcnews.al/