Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë debatuar pasditen e së enjtes në Parlament për gjuhën e përdorur nga ky i fundit për gratë shqiptare.
Berisha tha ndër të tjera se qeverisja socialiste pas diktaturës së Enver Hoxhës është qeverisja më armike ndaj gruas shqiptare.
“Qeverisja socialiste pas diktaturës së Enver Hoxhës është qeverisja më armike ndaj gruas shqiptare. Nuk e them për politikë por me politikat abuzimet e korrupsionin, me pasigurinë nga sundimi i krimit, me shkatërrimin e sistemit arsimor e shëndetësor, ju i keni nxirë jetën gruas shqiptare. I keni shndërruar gratë në nëna që lindin fëmijë për emigracion. Ndërsa vetë pasuroheni çdo ditë. A e kuptoni se çfarë fatkeqësie i keni krijuar gruas shqiptare? Pas meje këtu qëndrojnë 13- 14 ministre por këto dhe të gjitha deputetet duhet të jenë avokate të çdo gjëje të interesave të shqiptarëve dhe grave shqiptare. Pse do flasë vetëm opozita? Ju duhet të jeni të parët sepse jeni në pushtet.”
Kurse, ministri i Drejtësisë i kërkoi Berishës që të mos flasë për barazi gjinore nga foltorja e Parlamentit pasi sipas tij, është kujtuar shumë vonë. Manja tha se gjuha e përdorur nga ish-kryeministri është në fakt dhunë për vajzat dhe gratë shqiptare.
“Kur e dëgjon Berishën që flet me kaq patos për barazinë gjinore, të mbushet mendja që ke përpara kalorësin e barazisë gjinore. Është kujtuar shumë vonë. Prodhoi gjithë ato tragjedi, që i kanë paguar me kosto shumë të madhe shqiptarët. Edhe gjuha që përdore sot, është dhunë për vajzat dhe gratë shqiptare. Gjuhë e zezë, që s’ka lidhje fare me barazinë gjinore. Në këtë moshë e vetmja gjë e mirë që mund të përçosh është të heshtësh minimumi.”
Në përgjigje, lideri historik i demokratëve i bëri ministrit vetëm një pyetje: “Ç’të shtyn Ulsi që të bëhesh bodyguard i Ramës këto kohë. Unë e di, po hapja zemrën kolektivit. Kaq kisha.”
Nga ana e tij, Manja kujtoi se Rama është sot në mandatin e tretë dhe se e kanë votuar mbi 800 mijë qytetarë shqiptarë.
“E kam për nder që jam shërbëtor në qeverinë “Rama 3”. Krenar që jam pjesë e qeverisë shqiptare.” /abcnews.al/