COVID-19, shtohen 5 respiratorë të rinj në spitalin “Shefqet Ndroqi”

schedule15:25 - 2 Prill, 2020

schedule 15:25 - 2 Prill, 2020

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se janë dyfishuar kapacitetet me respiratorë për përballimin e situatës së COVID-19.

Gjithashtu Manastirliu ka komunikuar drejtpërdrejt me ekipin e mjekëve dhe infermierëve të reanimacionit të spitalit COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, ku edhe ka bërë të ditur lajmin për dyfishimin e  kapaciteteve me respiratorë.

“Sot kemi një lajm të mirë. Nga financimi i qeverisë shqiptare dhe kontrata e lidhur tashmë kanë ardhur dhe janë vendosur sasia e parë prej 5 respiratorësh të rinj në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, ndërkohë që priten të lëvrohen edhe pjesa tjetër. Në total kemi 54 respiratorë në dërgesën e parë dhe më pas do të kemi edhe 50 të tjerë e kështu me radhë, sipas porosive”, u shpreh Manastirliu.

Dr. Alma Cami, shefe e shërbimit të Reanimacionit në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe stafi i mjekëve dhe infermierëve vlerësuan mbështetjen e Ministrisë për shtimin e respiratorëve.

“Ishte më se e nevojshme kjo mbështetje nga ana juaj do të jetë në shpëtim të jetës së qytetarëve dhe në shërimin e tyre natyrisht. Ne do të jemi suporti i spitalit infektiv, të cilët janë të parët dhe kanë dhënë kontribut maksimal. Ne jemi mbështetje sekondare për zgjidhjen e rasteve që do të vinë. Do të bëjmë më të mirën e mundshme”, u shpreh dr. Cami nga spitali “Shefqet Ndroqi”, u shpreh Cami. 

Aktualisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohet një paciente e prekur nga COVID-19, e cila ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa në spitalin Infektiv po trajtohen 81 pacientë me COVID-19.