Thirrja e fundit përpara Marshit për Liri në mbështetje të çlirimtarëve.
Një ditë përpara 12 shtatorit, platforma “Liria ka emër” ka ftuar qytetarët t’i bashkohen daljes në shesh, në një mesazh të fortë se ish krerët e uçk, që presin gjykimin përfundimtar në Hagë nuk janë vetëm.
Organizatorët kanë dhënë edhe detaje nga tubimi.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje.”
Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit.
Për qytetarët që do të vijnë nga vende të ndryshme është organizuar edhe transport me autobusë.
Organizatorët bëjnë thirrje qytetarëve që marshi të jetë paqësor, familjar dhe dinjitoz.
“Bashkohuni me ne më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Mos ejani vetëm, ejani me familjet tuaja, merrni fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë tuaj, ashtu siç erdhi edhe Eliza. Le të jetë ky marsh një marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz. Le të jemi sa më shumë, le të jemi bashkë. Më 12 shtator, ora 14:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Dhe më 15 shtator, nga ora 22:00, takohemi përsëri në Hagë, në natën e pritjes, për të qëndruar së bashku deri në nisjen e seancës së gjyqit.”
Mesazhi i organizatorëve nga Prishtina deri në Hagë mbetet i njëjtë: të qëndrojnë të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit në momente që kanë rëndësi historike.

