Nga George Friedman “Geopolitical Futures”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Qyteti i Lysychansk ka rënë së fundmi në duart e Rusisë, duke i dhënë asaj kontrollin e plotë ndaj rajonit separatist Luhansk. Po ashtu, forcat ruse po pushtojnë gati të gjithë Donjeckun fqinj, rajonin tjetër që Kremlini e njohu si të pavarur dy ditë përpara se të fillonte pushtimin e tij.
Rusia mund të zgjedhë ta pranojë këtë fitore si kulmin e luftës së saj, ose të pretendojë fitoren totale duke e pushtuar të gjithë Ukrainën. Para se sa ta shqyrtojmë edhe këtë opsion, ne duhet të kuptojmë kuadrin konceptual që përcaktoi planin fillestar të Rusisë.
Të gjitha forcat ushtarake e kanë një doktrinë të tyren. Doktrina përcakton se si duhet të zhvillohen luftërat. Në Shtetet e Bashkuara gjatë fundit të Luftës së Ftohtë, doktrina u quajt “AirLand Battle” (Beteja në Ajër dhe Tokë), dhe parashikonte një sistem të kombinuar ushtrish për sulm dhe mbrojtje, të cilat veprojnë si një forcë e vetme nën një komandë të unifikuar.
Kinezët kishin një doktrinë të quajtur “Mbrojtja Aktive”, e cila e parashikonte armikun vazhdimisht në sulm, në një kohë që forcat kineze e mbanin të frenuar agresorin në shumicën e sektorëve, dhe kryenin kundërsulme kur u shfaqeshin mundësitë. Në çdo ushtri ka shumë koncepte.
Modeli luftarak bazë, përcakton llojin e armëve që do të sigurohen, përzierjen e duhur të forcave, stërvitjes që do t’i nënshtrohen ato, e kështu me radhë. Doktrinat ekzistojnë për ushtrinë si një e tërë, por dhe për njësi shumë më të vogla. Në rastin e një lufte, që të gjitha duhet të përzihen në një forcë të vetme beteje, raporton abcnews.al.
Doktrina ruse e përcaktuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik quhet “Deep Battle” (Beteja në Thellësi). Ajo parashikon luftime ruse në çdo nivel luftimi. Synimi është të depërtohet sa më thellë dhe sa më shpejt në territorin e armikut. Për ta arritur këtë, duhet të ketë një koordinim intensiv në të gjitha nivelet e fushëbetejës dhe gjithashtu edhe midis niveleve.
Konkretisht në Ukrainë “Deep Battle”, duhej të koordinonte operacionet e përgjithshme në çdo fushëbetejë. Dhe këto të fundit duhet të ishin të tillë sa të menaxhohen edhe nga një batalion. Doktrina përcaktohet jo vetëm nga sa larg mund të depërtohet armiku, por edhe nga sa thellë mund të depërtojë komanda dhe kontrolli.
“Deep Battle” është shumë premtues kur informacioni rrjedh me shpejtësi në nivelin tjetër më të lartë të komandës. Ushtria ruse është si një çekiç. Kur prishet koordinimi, konsultimi dhe komanda – dhe çelësi është komunikimi, që në një betejë është jashtëzakonisht i vonuar ose i gabuar – çekiçi godet veten duke e gjunjëzuar atë.
“Beteja në Thellësi” shndërrohet në një sistem komandimi të centralizuar, ku komanda nivelit të lartë, nuk mund të shohë realitetet në nivelin më të ulët. Koncepti mbi sulmin fillestar në Ukrainë ndoqi konceptin e “Deep Battle”. Ai i organizoi forcat ruse në 3 fronte kryesore, të ndërtuara rreth mjeteve të blinduara dhe atyre goditëse nga veriu në drejtim të Kievit, nga jugu në drejtim të Odesës, dhe një distancë të shkurtër në Donbas në lindje.
Pavarësisht ngjarjeve, urdhrat fillestare ishin të njëjtat. Forca veriore u bllokua në një rrugë, dhe qëndroi atje për ditë të tëra, pa asnjë korrigjim të urdhrave të saj. Ajo forcë ka të ngjarë të synonte të mbështeste forcën që vinte nga lindja. Tanket e harxhuan shumë shpejt karburantin e tyre.
Dhe kur mbetën bosh, logjistika nuk kishte porosi të reja, ose nuk mund t’i furnizonte dot ato. Nga beteja e vetme “Deep Battle”, dolën 3 fushëbeteja të veçanta pa një plan të integruar. Është e qartë se rrjedha e informacionit u ndërpre, pasi këmbësoria hyri në qytetet shumë të mbrojtura, dhe nuk arriti të kuptonte forcën me të cilën po përballej.
Komanda e lartë nuk ishte në dijeni të të dhënave speficike mbi armikun, realitetin logjistik apo raporteve në fushën e betejës. Dhe në vend se të transferonte më shumë komandë në nivelet e poshtme, i mbante frenat akoma më shumë të shtrënguara. Ishte “Beteja në Thellësi” e skenarit më të keq të mundshëm.
Por që atëherë gjërat u përmirësuan me shpejtësi. Së pari, të tria zonat u trajtuan ndryshe. Grupit të betejës në veri që sulmoi nga Bjellorusia, iu tha të tërhiqej, dhe ndoshta t’i dërgonte forcat në fushëbetejën kryesore në lindje. E njëjta gjë vlejti edhe për frontin jugor.
Të gjitha burimet shkuan tek grupi i tretë, ai që pushtoi së fundmi gjithë Luhanskun. Doktrina e ”Betejës në Thellësi” zbatohet për grupin e vetëm vendimtar që mposhti ukrainasit në Luhansk. Në vend se ta zhvillonte luftën si një betejë të vetme, ajo e mori konceptin fillestar dhe e ndau atë në tre zona duke marrë një zonë, me gjasë duke ri-pozicionuar të gjithë trupat, përveç një force pushtuese dhe pjesën tjetër në sulmin në pjesën jugore të vendit, gjë që nëse ia arrin, e bën të parëndësishme sulmin në veri.
”Deep Battle” nuk dështoi si koncept, por në zbatimin e tij. Beteja që duhet bërë tani është më e thjeshtë. Lëvizja drejt Odesës, do të ketë rregullsinë e një beteje të suksesshme. Komanda e lartë ruse, ka më shumë gjasa të kuptojë gjendjen e betejës dhe të japë urdhra sipas nevojave, duke mbajtur në qendër të vëmendjes një objektiv të vetëm, në vend të tre të tillëve.
Nuk është aspak e qartë nëse Rusia mund ta fitojë këtë luftë. Përqendrimi i trupave ruse në Donbas, i ka dhënë mundësi forcave ukrainase të kenë pushimin shumë të nevojshëm, të pajisen me e armë të reja, dhe të trajnohen për përdorimin e këtyre armëve, raporton abcnews.al.
Ushtarët që kanë përvojë në fushën e betejës, janë shumë më të stërvitur sesa fillestarët që u përballën për herë të parë me Rusinë. Tani Rusia po zhvendoset drejt fushëbetejës së saj të ardhshme, me trupat e saj të gjymtuara, dhe me oficerët që kanë shijuar si disfatën ashtu edhe fitoren.
Ata po përballen me një ushtri ukrainase të madhe, të motivuar, që ka pësuar jo pak humbje, por që është pajisur së fundmi me armë të reja të fuqishme. Doktrina “Deep Battle” dështoi në provën e saj të parë, dhe po kryen një “kafshim” të dytë ndaj një armiku që lufton në grupime të vogla me një komandë strategjike, por taktikat e të cilit qëndrojnë në nivele shumë më të ulëta, pra që ka një doktrinë të “autoritetit të shpërndarë”. Përveç gjakut që do të derdhet, do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodhë më tej në këtë luftë.
Shënim: George Friedman, është një parashikues gjeopolitik në lidhje me çështjet ndërkombëtare, autor i shumë librave bestseller.
/abcnews.al


