Çfarë u pa “pas kuintave” në vizitën dhe takimin Kurti-Rama?

schedule11:49 - 11 Shkurt, 2020

schedule 11:49 - 11 Shkurt, 2020

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, ditën e sotme vizitoi Tiranën. Kjo është vizita e tij e parë jashtë Kosovës në postin e kryeministrit.

Ai u prit me një ceremoni mirëseardhjeje në Pallatin e Brigadave nga kryministri Edi Rama, ku pas një takimi kokë më kokë mbajtën edhe një konferencë për shtyp.

Pas konferencës së mbajtur, Kryeministri i Kosovës është drejtuar në Kryesinë e Kuvendit, edhe pse në vonesë prej 35  minutash duke dalë nga parashikimi sipas protokollit zyrtar.

Siç raporton gazetarja e ABC News Esiona Konomi, takimi i zgjatur mes dy kryeministrave shqiptarë nuk i ka sheshuar diferencat mes tyre.

Çfarë u pa gjatë vizitës dhe takimit të Albin Kurtit me Edi Ramën?

Albin Kurti nuk ka thënë dot “PO” nëse do të marrë pjesë apo jo Kosova, në takimin e radhës së minishengenit Ballkanik, ndërkohë që theskoi se së pari duhet të bëjmë makro-shengenin shqiptar pastaj të mendojmë për minishengenin ballkanik.

Kryeministri Rama ka replikuar menjëherë pas Kurtit se makroshengeni shqiptar është një term i panjohur dhe s’mund të ecë përpara pa minishengenin ballkanik.

Albin Kurti foli për një fillim të ri, ndërkohë që Kryeministri Rama për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, tha se Albin Kurti është i ri në detyrë, por në fakt nuk kemi nevojë për një fillim të ri, por për një ritëm më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe.

Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët me Edi Ramën i mëshoi faktit se janë ende 77 marrëveshje politike, të nënshkruara mes dy vendeve, të pazbatuara, ndaj një komision ndërshtetëror me ministra dhe deputetë, duhet të aktivizohet për të ndjekur zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Gazetarja Esiona Konomi raportoi për abcnews.al se delegacioni i zgjedhur nga kryeministri Rama për pritjen e kryeministrit Albin Kurti, ishin vetëm dy ministrat që vijnë nga Kosova, Besa Shahini dhe Gent Cakaj dhe Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin Elisa Spiropali, ndërkohë që nuk ka qenë e pranishme as Shefja e Kabinetit të Kryeministrit Rama, as Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë siç ka qenë zakonisht në pritje të tjera të funksionarëve të lartë.

Nuk ka munguar shfaqja e qartë, dhe e hapur, e mos dakordësive 100 % me kryeministrin Rama.

Kryeministri Rama nuk e ka përmendur në asnjë rast Serbinë, dhe përpjekjen e qeverisë shqiptare për ta bindur Serbinë të njohë Kosovën, edhe pse u shpreh i gatshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të shtuar njohjen e Kosovës nga shtete të tjera.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pa Shqipërinë, Kosova nuk do ta kishte fituar luftën me Serbinë dhe sigurisht nuk do ishte ndarë as në paqe./abcnews.al