“Çfarë thotë në mëngjes nuk thotë në darkë”, qytetarët në “zonat e kuqe” të paqartë për rregullat e fundjavës

schedule18:57 - 23 Maj, 2020

schedule 18:57 - 23 Maj, 2020

Qyteti bregdetar i Durrësit këtë fundjavë ishte si një ditë e zakonshme.  Edhe pse zonë e kuqe, durrsakët nuk respektuan rregullat për të qëndruar në shtëpi.

Dalja nga shtëpia erdhi si pasojë e konfuzionit të krijuar për rregullat e fundjavës.  Qytetaret janë njohur me vendimin kufizimin e lëvizjes dhe mbylljen e bareve dhe kafeve vetëm në mëngjes, pasi njoftimi i kryeministrit u bë vonë në mbrëmjen e së premtes. Shumë prej tyre nuk e kanë mirëpritur mirë, kufizimin.

“Ai çfarë thotë në mëngjes nuk thotë në darkë. Kështu i pëlqen atij. Ne si popull nuk na pëlqen, por nuk kemi gjë në dorë”, u shpreh një qytetar.

Ka edhe nga qytetarë që janë të vendosur ti respektojnë këto vendime.

“Po të jetë normativ do ta zbatojmë”, u shpreh një tjetër qytetar.

Pjesa më e madhe e lokaleve në Durrës nisën si zakonisht punën mëngjesin e së shtunës, pasi nuk ishin lajmëruar për mbylljen e subjekteve.

Shkodra është një tjetër zonë e kuqe nga koronavirusi. Këtë të shtunë qytetarët lëvizën lirisht, ndërsa baret e restorantet ishin të hapura, deri në ndërhyrjen e policisë./abcnews.al