Çfarë pritet në 2020-tën? Luftë, protesta dhe ndryshime sundimtarësh

schedule14:30 - 6 Janar, 2020

schedule 14:30 - 6 Janar, 2020

Në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e 3 nëntorit do të jenë me shumë rëndësi sepse do të dihet cili do të jetë kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë presidenti aktual Trump do të vazhdojë të jetë në gjykim për akuzat në senatin amerikan, për shkak të “abuzimit me pushtetin dhe ndërhyrje në Kongres”.

Në Izrael, vazhdon saga e krizës politike. Parlamenti izraelit u shpërbë në dhjetor të 2019-tës dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen në 2 mars, tre muaj pasi zgjedhjet e përgjithshme nuk nxorën një fitues përfundimtar dhe as kryeministri Benjamin Netanyahu dhe as Benny Gantz nuk mundën të krijojnë një koalicion qeverisës.

Ndër konfliktet, Siria vazhdon të mbetet kryetemë, pasi sulmet ajrore ruse dhe të regjimit vazhdojnë të bëjnë kërdinë në rajonet e mbajtura nga rebelët.

Ndërkohë në 2020 pritet të mbahen disa samite dhe konferenca të rëndësishme, si konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike e planifikuar për në nëntor në Glasgow dhe presidenca e G20, ku Arabia Saudite pret liderët botërorë për një samit global në kryeqytetin arab më 21-22 nëntor, ndërkohë që vazhdon të mbetet hije e rëndë për të vrasja brutale e gazetarit Jamal Khashoggi. Një samit tjetër është ai i qershorit ku Shtetet e Bashkuara presin udhëheqësit e G7 në Camp David në Maryland.

Ndër zhvillimet e pritshme konfliktuoze janë ato që kanë të bëjnë me politikat e Turqisë, ku afrimi i saj gjithnjë e më shumë me Libinë, ka çuar në një marrëveshje që zgjeron pretendimet e Turqisë mbi një zonë të madhe të pasur me gaz të Detit Mesdhe dhe që është denoncuar nga Greqia, Egjipti dhe Qipro.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka premtuar të shtojë mbështetjen ushtarake për Libinë nëse është e nevojshme, duke hapur derën për përfshirje të angazhuar ushtarake në vitin e ri.

Ndërkohë Irani në pjesën tjetër të botës shkon në zgjedhje që pritet të mbahen më 21 shkurt. Pothuajse 16,000 njerëz janë regjistruar për të garuar për 290 vendet parlamentare.

Jemeni mbetet një fushë-betejë e hidhur. 26 marsi i 2020-tës shënon përvjetorin e pestë të ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga Sauditët në Jemen për të mbështetur qeverinë kundër rebelëve Houthi të lidhur me Iranin. Muajt e fundit, rebelët kanë ndalur sulmet kundër Arabisë Saudite, dhe Riadi ka folur për një “kanal të hapur” të komunikimit me Houthis.

Ndërkohë në Kinë vazhdon të jetë e hapur çështja e pakicës ujgure. Kina u përball me dënim ndërkombëtar për rrethimin e 1 milion ujgurëve dhe pakicave të tjera etnike kryesisht myslimane në kampe internimi në rajonin veriperëndimor të Xinjiang ndërkohë që Parlamenti Evropian dhe Shtetet e Bashkuara shqyrtojnë sanksionet mbi këtë çështje.

Ndër gjykimet që priten në vende të ndryshme dhe që janë ngjarje me një mbulim shumë të madh ndërkombëtar janë ato të gjykimit të australianit të akuzuar për masakrën në një xhami në Christchurch, në Zelandën e Re që fillon më 3 maj, gjyqet e disidentëve në Arabinë Saudite; mes të cilave edhe një duzinë gra aktiviste. Gjyqi turk kundër udhëheqësit pro-kurd Selahattin Demirtas në janar dhe seanca dëgjimore në gjyqin e drejtorit të Amnesty International në Turqi që pritet të mbahet më 19 shkurt.

Ndërkohë, Omani mund të ketë në 2020-tën një sundimtar të ri pasi shëndeti i Sulltan Qaboos bin Said vazhdon të përkeqësohet. Sipas “The Guardian”, diskutimet tashmë janë duke u zhvilluar për të emëruar pasardhësin e tij. Omani është një vend mjaft i rëndësishëm në Lindjen e Mesme, që nuk është prekur nga trazirat e dhunshme apo luftërat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!