Çdo vit 550 raste të reja me kancer gjiri

schedule15:55 - 20 Mars, 2018

schedule 15:55 - 20 Mars, 2018

Çdo vit në vendin tonë diagonstikohen rreth 550 raste të reja të kancerit të gjirit. Mungesa e ilaçeve të kimioterapisë është shqetësimi kryesor për shumë gra të prekura nga kjo sëmundje e rëndë. Ministrja e Shëndetësisë deklaron se brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, qeveria synon t’i mbulojë plotësisht këto nevoja.

Të dëgjosh përvojën e dikujt është diçka, por ta përjetosh mbi lëkurë të jep tjetër ndjesi. Psikologia Silva Loka vitin e shkuar tregon se nisi betejën me sëmundjen, për të cilën ndër vite kishte këshilluar shumë gra e vajza, kancerin e gjirit. Sot mesazhi i saj vjen më i forte se më parë.

Silva Loka: “Unë u diagnostikova hershëm në hapat e sëmundjes dhe sigurisht, kjo më ka dhënë goxha forcë dhe besim, që kjo është një sëmundje, që betejë pas beteje mund të fitohet. Diagnoza e kancerit të gjirit nuk do të thotë baraz mbijetesë, por mbi të gjitha do të thotë të ruash cilësinë e jetës. Unë nuk e kam parë kurrë diagnozën e kancerit të gjirit, diganozë që do të thotë destinë për të vdekur. Unë nuk jam e destinuar për të vdekur më shumë seç është çdo i gjallë tjetër. Kushdo që ka lindur një ditë do të vdesë. Kështu që unë kam vendosur që deri në atë moment do të jetoj”.

Numri i të prekurve nga kjo sëmundje po rritet me shpejtësi. Çdo vit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, regjistrohen rreth 550 raste të reja, por beteja me kancerin e gjirit nuk mund të fitohet vetëm. Loka përfitoi nga prania e ministres së Shëndetësisë për t’i vënë në dukje diçka.

Silva Loka: “Pacientët ankohen me të drejtë për mungesë medikamentesh, gjë që ne e kuptojmë. Ka një gjë që mjekët dhe gjithë stafi mjekësor e ka pavarësisht gjendjes ekonomike që karakterizon qeverisjen në Shqipëri. Komunikimi. Komunikimi thelbësisht njerëzor, që këta pesona e kanë nevojë të përditshëm”.

Ministrja Manastirliu jep shpresë. Qeveria, sipas saj, ka një synim.

Ogerta Manastirliu: “Ne synojmë që brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti, ne të mbulojmë 100% me këtë trajtim, pra kimio-preparat, të gjitha rastet e diagnostikuara me kancer të gjirit. Dhe për këtë bësoj që kemi bërë një hap më shumë në luftën kundër kancerit të gjirit”.

Ndërkohë, 5 mamografe që bëjnë diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit do të instalohen në spitalet rajonale brenda këtij viti. Ndërsa për trajtimin e sëmundjes, në shërbimin onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Prill do të nisë punën dhe akseleratori i dytë linear./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!