Camara akuzoi Besëlidhjen, Noka reagon: I pëlqejnë “club”-et, dështoi dhe tani flet

schedule12:59 - 29 Maj, 2020

schedule 12:59 - 29 Maj, 2020

Oumar Tourad Camara, mesfushori nga Guinea, një ditë më parë u ankua për trajtimin te Besëlidhja. Ai akuzonte në lidhje me kontratën dhe për pagesat, ndërkohë që e menjëhershme ka qenë përgjigja e presidenti Gjok Noka. Ai hedh poshtë gjithçka, ndërkohë që kërkon që të pyeten edhe lojtarët e tjerë për kushtet ku jetojnë.

“Akuzat e tij nuk qëndrojnë, janë thjesht llafe në kulmin e dëshpërimit, pas dështimeve të njëpasnjëshme për të luajtur në Superiore. Një pjesë e futbollistëve që luajnë me Besëlidhjen kanë banuar me të dhe e dinë çfarë kushtesh ka pasur.

LEXO EDHE: Vuajtjet e afrikanit, Camara: Flija në stadium dhe nuk kisha as për të ngrënë

Sulmuesi Edmond Hoxha dhe katër serbët kanë jetuar në të njëjtat kushte. Le të flasin vetë ata. Dhoma ku ka banuar Camara i ka kushtet normale: krevat, kondicioner, dollap rrobash dhe lavatriçe. Rrobat në lavatriçe ia ka larë punëtori, ai vetëm i ka veshur. Mund të dëshmojnë futbollistët që banojnë ende aty.

Në Lezhë banojnë edhe 4 futbollistët serbë, të cilët janë trajtuar me ushqim të gjithë në një tavolinë në lokalin tim. Madje, ai i thërriste “mama” bashkëshortes sime, e cila u ka shërbyer. Për mua të gjithë futbollistët janë njësoj dhe jam munduar t’i trajtoj si fëmijët e mi, pa dallim race, apo kombësie.

Nuk i kam borxh askujt, as rroga dhe asgjë. E dinë mirë të gjithë ata që kanë luajtur për Besëlidhjen që kur jam president i saj. Camara iku te Kukësi dhe qëndroi atje deri në nëntor të vitit të kaluar. Vendosi të largohej, pasi nuk gjeti hapësirë në formacion dhe kur iku nuk më tregoi fare.

LEXO EDHE: Humbi gjyqin, tërbohet presidenti shqiptar: Gjynah t’i japësh lekë atij plehu!

E mora vesh nga drejtuesit e Kukësit, të cilët më pyetën për të. Që atëherë Camara nuk ka ardhur në Lezhë, por ka preferuar të banojë në Tiranë. Atij nuk i pëlqen Lezha, por lokalet e Tiranës, ndaj le të banojë atje, nuk mund ta marr me zor. Ndonëse duhej të paguhej nga Kukësi, i kam dhënë edhe pagën e muajit gusht, pasi ma kërkoi.

Madje kam paguar edhe taksi për ta marrë nga Fushë-Kruja, ku kishte mbetur një herë. Kishte ikur pa leje nga Kukësi, por përsëri u mundova që ta sistemoj në një skuadër të Superiores si Vllaznia, në formë huazimi në merkaton e janarit. Edhe aty nuk shkoi asnjëherë”, tregon Noka për “Panorama Sport”. /abcnews.al