Bushati për marrëveshjen me Greqinë: Do të takoj së shpejti Kotzias

schedule15:33 - 18 Qershor, 2018

schedule 15:33 - 18 Qershor, 2018

Këtë javë do të ketë një tjetër takim midis ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologut grek, Nikos Kotzias. Është ministri Bushati që e konfirmoi, duke dhënë edhe detaje për çfarë do të diskutohet.

Ditmir Bushati: “Do të vazhdojmë të diskutojmë dhe për mundësinë për të gjetur një marrëveshje përsa i përket delimitimit të zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë do të ketë dhe një takim tjetër të ekipit negociator”.

Si çdo negociatë, palët kanë pretendimet e tyre, por ministri Bushati nuk jep shumë detaje mbi pikat që kanë mbetur ende pezull.

Ditmir Bushati: “Në këtë moment nuk mund të them më shumë për këtë çështje. Por besoj se nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është  shumë me e gjerë se kjo marrëveshje”.

Të gjitha informacionet mbi këto negociata janë edhe në tryezën e presidentit të Republikës, sipas ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Ditmir Bushati: “Ka një komunikim institucional dhe njerëzor me presidentit e Republikës për këtë çështje. Pas çdo raundi bisedimesh, presidentit të Republikës i është vënë në dispozicion e gjithë problematika e çështjeve që janë diskutuar dhe hapave që janë hedhur në këtë proces, po mbi bazë të Kushtetutës është presidenti ai që lëshon autorizimin për një marrëveshje të tillë, prandaj është krejt e mirëkuptueshme çdo kërkesë e tij për informacion shtesë, apo më të detajuar për një çështje specifike”.

Ministri i Jashtëm i Greqisë ka deklaruar se nuk do të bëjë pushime pa arritur marrëveshjen me Shqipërinë, ndërsa ministri Bushati mjaftohet, duke thënë se koha për ta nënshkruar është e afërt.

Ditmir Bushati: “Besoj se ekipet tona janë me kapacitet të plotë, koha është e rëndësishme në marrëdhënie ndërshtetërore, momenti është i rëndësishëm,. Besoj se ka ardhur momenti pas 10 vitesh diskutimesh ne të përfundojmë këtë marrëveshje aq më tepër që sot kushtet janë përmirësuar dhe falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e detit që për ne është një udhërrëfyes si nuk duhet bërë një marrëveshje dhe cilat janë gabimet që duhen evituar kur futesh në një proces diskutimi”.

Data e nënshkrimit të narrëveshjes nuk është përcaktuar. Dhe nuk ka shumë rëndësi për ministrin Ditmir Bushati nëse do të jetë para apo pas vendimit për hapjen e negociatave në 28-29 Qershor.

Ditmir Bushati: “Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur qeveria apo Shqiëpria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 29 apo 29 e kanë thjesht gabim. Nuk ka pikë diskutimi që na intereson për të mbyllur gjithë çështjet e hapura me fqinjët tanë, dhe në rastin në fjalë me Greqinë, sikundër është në interesin e Greqisë për të mbyllur kapitujt me Shqipërinë. Kjo është një tezë që është hedhur në opinionin publik kryesisht nga opozita që nuk gjen bazë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!