Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për vrasësin e kushërinjve, Ritvan Zykën. Edhe në sallën e gjyqit ai tha se i vrau pasi e akuzonin për vjedhje pulash.
Ridvani i tmerrshëm nuk lëvizi as qerpikun në sallën e gjyqit. Qëndrimi i tij jo njerëzor e befasoi gjykatësen. Operatorë e reporterë u shokuan.
Prokurori që më herët e kishte marrë në pyetje paralajmëroi për një profil të tillë. Ishte si një dru, u tha ai gazetarëve. Ridvan Zykaj, ai që vrau tetë kushërinj, mes tyre dy fëmijë në Rasulaj të Vlorës, do të qëndrojë në burg.
Gjykata caktoi masën e sigurisë vetëm 30 min pasi hynë brenda. Jashtë ishte vetëm një i afërm i viktimave, por që nuk u lejua të futej.
Gjykata kishte caktuar avokat kryesisht Renato Mehmetaj pasi mbi 15 avokatë të tjerë nuk e pranuan çështjen. Akuza u përfaqësua nga prokurori Saimir Smaka, i cili tha se autori pranoi autorësinë dhe ishte shprehur se me viktimat kishte konflikte të hershme. Ata e akuzonin se u vidhte pulat. Të njëjtën gjë Ridvani i frikshëm përsëriti dhe në sallë. Gjyqtarja e seancës me dyer të mbyllura ishte Esmeralda Habilaj. Ajo nuk vonoi ti binte çekiçit për ta çuar në qeli Zykën me tre akuza: Vrasje me dashje, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje municionesh.
Më herët, kur Zykaj po futej në gjykatë, familjarët e viktimave të Janarit, Selkie dhe Olsi Hoxhallari protestuan. Në pankartë, ata përveç fotove të autorëve që vranë nënën dhe djalin Hoxhallari, kishin dhe foton e Ridvan Zykës. Ata kërkonin dënim me vdekje për vrasësit. Të tjerë banorë të Vlorës ishin para gjykatës duke protestuar. Zykaj u dërgua në qelitë e paraburgimit në komisariat deri në një vendim të ri. Në kohën pas vrasjes ai është mbajtur në masa të forta sigurie brenda ambjenteve të policisë.
Pasditen e të premtes së shkuar ai vrau me kallashnikovë njëri pas tjetrit tetë njerëz. Thuhet se edhe i filmoi viktimat. Të gjithë kushërinj të tij dhe që po ktheheshin nga një drekë e gëzueshme. /abcnews.al