Bullgaria do të blejë 8 avionë F-16 nga SHBA-të

schedule08:45 - 11 Korrik, 2019

schedule 08:45 - 11 Korrik, 2019

Qeveria e Bullgarisë miratoi blerjen e 8 avionëve luftarakë të tipit F-16 Block 70 për 1.2 miliardë dollarë si pjesë e bisedimeve tregtare me SHBA-të, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë pas Këshillit të Ministrave u bë e ditur se bisedimet me SHBA-të për rinovimin e avionëve të vendit kanë përfunduar me sukses.

Ministri bullgar i Mbrojtjes, Krasimir Karakachanov tha se në kuadër të buxhetit të miratuar me SHBA-të do të nënshkruhet një marrëveshje për blerjen e 6 avionëve me vend për një pilot dhe 2 avionëve me vend për dy pilotë. Në kuadër të marrëveshjes do të nënshkruhen 4 protokolle të veçanta për blerjen e avionëve, sigurimin e stoqeve të armatimeve, blerjen e raketave me udhëzues dhe instalimin e udhëzimeve dhe sistemeve të drejtimit.

Karakachanov tha se çmimi i përgjithshëm i flotës u zvogëlua nga 1.4 miliardë dollarë në 1.2 miliardë dollarë falë bisedimeve me SHBA-të. Ai vuri në dukje se nga qeveria amerikane pritet që ajo të investojë 60 milionë dollarë në logjistikë në Bazën Ajrore Graf Ignatievo, ku avionët do të vendosen.

Vendimi i qeverisë është dorëzuar në Komisionin parlamentar të Mbrojtjes dhe pritet të marrë miratimin nga deputetët. Parlamenti bullgar 6 muaj më parë i dha “dritë të gjelbër” qeverisë që të fillojë bisedimet me SHBA-të.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili ka qenë ish-komandanti i Forcave Ajrore, kundërshtoi blerjen e avionëve amerikanë F-16 duke thënë se vendi ka ndërmarrë një iniciativë me shpenzime ekstreme për teknologji të vjetër me pajisje të kufizuar./AA