Bullgaria dëbon dipomatin rus për spiunazh: 72 orë afat për t’u larguar nga vendi

schedule18:35 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 18:35 - 18 Dhjetor, 2020

Bullgaria i dha një diplomati rus 72 orë afat për t’u larguar nga vendi pas deklarimeve të prokurorëve se ai ishte përfshirë në spiunazh që nga viti 2017, tha të premten ministria e jashtme bullgare. Diplomati rus është i gjashti që dëbohet nën dyshime për spiunazh nga Bullgaria, anëtare e NATO-s që nga tetori 2019.

“Diplomati rus u shpall persona non grata dhe iu dha 72 orë kohë për t’u larguar”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme.

Ambasada e Rusisë në Sofje tha se dëbimi ishte i pabazuar dhe se Moska rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur. Në një deklaratë, prokurorët thanë se diplomati rus ishte përpjekur të shtinte në dorë informacione të ndjeshme ushtarake, përfshirë ato për numrin e trupave amerikane të stacionuara në Bullgari gjatë stërvitjeve ushtarake.

Prokurorët thanë se kishin prova se diplomati kishte qenë në kontakt me një shtetas bullgar që kishte qasje në informacione të klasifikuara, të cilit i ishin ofruar para. Pas njoftimit për dëbimin, ambasadat e SHBA dhe Britanisë në Sofje shprehën mbështetje ndaj përpjekjeve të Bullgarisë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e saj.

Pak ditë më parë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse tha se Moska është e shqetësuar nga rritja e aktivitetit të NATO-s në Detin e Zi. Ajo tha se skenarët e stërvitjes ushtarake të NATO-s përfshinin sulme të mundshme ndaj territorit rus, ndërsa po bëheshin përmirësime në infrastrukturë dhe në Bullgari e Rumani po dislokoheshin armatime.

Kryeministri Bullgar Bojko Borisov i ka hedhur poshtë shqetësime të tilla por ka konfirmuar se Bullgaria po përmirëson aeroportet e saj në mënyrë që në to të mund të operojnë tetë avionë të rinj luftarakë F-16 që ajo bleu nga Shtetet e Bashkuara.

Bullgaria ka porositur gjithashtu dy anije të reja patrullimi për të zëvendësuar anijet e kohës sovjetike për të përmirësuar përputhshmërinë e vendit me standardet e NATO-s. Në kohën e komunizmit, Bullgaria ishte aleati më i afërt i Moskës në Evropën Lindore.

Pavarësisht tensioneve të herëpashershme në marrëdhëniet e tyre, Rusia mbetet furnizuesi më i madh me energji i Bullgarisë ndërkohë që dy vendet mbajnë lidhje të ngushta kulturore dhe në fusha të tjera.VOA