Kryeministri britanik, Keir Starmer, mbrojti sot vendimin e qeverisë për të lehtësuar disa sanksione ndaj importeve të karburantit të avionëve dhe naftës me origjinë ruse, duke argumentuar se lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar rritje të fortë të çmimeve të energjisë.
Vendimi lidhet me një licencë tregtare që i lejon Britanisë së Madhe të importojë naftë bruto ruse të përpunuar në vende të treta, si India.
Masa është kritikuar ashpër nga partitë opozitare.
Sipas Ministrisë britanike të Biznesit dhe Tregtisë, licenca ka afat të pacaktuar, por do të rishikohet periodikisht. Qeveria laburiste ka lëshuar gjithashtu një licencë të përkohshme që zbut kufizimet për importin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) me origjinë nga disa impiante ruse.
Ndalimi i importeve të produkteve të derivuara nga nafta bruto ruse ishte shpallur në tetor, por Starmer tha se bëhet fjalë për “dy licenca të synuara afatshkurtra”, të nevojshme për të zbatuar gradualisht sanksionet e reja dhe për të mbrojtur konsumatorët britanikë.
“Kjo nuk është në asnjë mënyrë një heqje e sanksioneve ekzistuese. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë për paketa të tjera sanksionesh”, deklaroi ai.


