Britania e Madhe paralajmëron për komplot për të vendosur aleatin pro-Moskës në Ukrainë

schedule00:58 - 23 Janar, 2022

schedule 00:58 - 23 Janar, 2022

Britania e Madhe ka akuzuar presidentin Putin për komplot për të instaluar një figurë pro-Moskës për të udhëhequr qeverinë e Ukrainës. Ministria e Jashtme britanike ndërmori hapin e pazakontë duke deklaruar që ish-deputeti ukrainas Yevhen Murayev mund të jetë një kandidat i mundshëm i Kremlinit. Rusia ka zhvendosur 100,000 trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën, por mohon se po planifikon një pushtim.

Ministrat e Mbretërisë së Bashkuar kanë paralajmëruar se qeveria ruse do të përballet me pasoja të rënda nëse do të ketë një inkursion. Në një deklaratë, Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha: “Informacioni i publikuar sot hedh dritë mbi shtrirjen e aktivitetit rus të krijuar për të përmbysur Ukrainën dhe është një pasqyrë e të menduarit të Kremlinit. Ajo tha gjithashtu se “Rusia duhet të de-përshkallëzojë, t’i japë fund fushatave të saj të agresionit dhe dezinformimit dhe të ndjekë rrugën e diplomacisë”.

Rusia ka kapur territorin ukrainas edhe më parë, kur aneksoi Krimenë në vitin 2014, pasi vendi përmbysi presidentin e tyre pro-rus raporton “BBC”. Shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase kanë sugjeruar se një tjetër pushtim ose inkursion mund të ndodhë diku në fillim të vitit 2022, pasi forcat ruse u grumbulluan në kufi. Rusia ka mohuar se po planifikon ndonjë sulm, por presidenti Putin i ka bërë kërkesa Perëndimit, duke përfshirë që Ukraina të pengohet të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s.

Ai gjithashtu dëshiron që NATO të braktisë stërvitjet ushtarake dhe të ndalojë dërgimin e armëve në Evropën Lindore, duke e parë këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë. Murayev, një pronar mediash, humbi vendin e tij në parlamentin ukrainas kur partia e tij nuk arriti të sigurojë 5% të votave në zgjedhjet e 2019. Zyra e Jashtme gjithashtu deklaroi se katër politikanë të tjerë ukrainas mbanin lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.

Zyra e Jashtme tha se disa nga individët kishin qenë në kontakt me oficerët e inteligjencës ruse që punonin në një plan pushtimi. Një nga politikanët që përmëndej në deklaratën e Zyrës së Jashtme ishte Mykola Azarov, i cili shërbeu si kryeministër nën presidentin pro-rus Viktor Janukoviç që u rrëzua në vitin 2014. Azarov më pas iku në Rusi, ku krijoi atë që shihej gjerësisht si një qeveri kukull në mërgim.

Ai ka qenë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare dhe një “njoftim i kuq” i Interpolit i lëshuar me kërkesë të qeverisë ukrainase, për akuza që përfshijnë përvetësim dhe shpërdorim.

Gjithashtu përmendet Vladimir Sivkovich, ish-zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, i cili këtë javë u bë objekt i sanksioneve të SHBA-së për shkak se dyshohet që punon me inteligjencën ruse. Të tjerët janë Serhiy Arbuzov dhe Andriy Kluyev, të cilët të dy shërbyen si zëvendëskryeministra nën Yanukovych. / abcnews.al