Britani, rikthehet me debate të ashpra parlamenti

schedule20:32 - 25 Shtator, 2019

schedule 20:32 - 25 Shtator, 2019

Parlamenti britanik është rimbledhur të mërkurën pas vendimit të Gjykatës së Lartë që e cilësonte të paligjshëm pezullimin e tij. Megjithatë, mes debateve të ashpra, përfaqësuesi ligjor i qeverisë konservatore ka deklaruar se Dhoma e Përfaqësuesve është një institucion i vdekur.

Ligjvënësit britanikë janë përplasur ashpër në lidhje me vendimin tashmë të paligjshëm të qeverisë për të pezulluar Parlamentin. Ata u mblodhën në seancë pasditen e së mërkurës pas vendimit historik të Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar. I pranishëm, prokurori i përgjithshëm Xhefri Koks, njëkohësisht përfaqësues ligjor i qeverisë, deklaroi se respekton vendimin por sulmoi ligjvënësit duke i cilësuar ata si “frikacakë” për të mbajtur një palë zgjedhje.

“Ky Parlament ka vdekur”, theksoi Koks. Nga ana tjetër, ai u etiketua si një “turp” për Parlamentin nga një prej deputetëve të pranishëm, ndërsa një tjetër u shpreh “i tmerruar” nga fjalori i tij. Joana Çerri, nga Partia Kombëtare Skoceze, i kërkoi zotit Koks që të publikojë këshillën ligjore që i dha qeverisë përpara pezullimit të Parlamentit.

Ajo tha se Koks po paraqitet si një element i sakrifikueshëm për planet e qeverisë. Nga ana e tij, kryeprokurori u përgjigj duke thënë se qeveria besonte se qasja e saj kishte qenë e ligjshme dhe kushtetuese dhe se ajo kishte vepruar në mirëbesim kur kishte pezulluar Dhomën e Përfaqësuesve. Ai shtoi se do ta shqyrtojë në ditët në vazhdim nëse për hir të interesit publik do ta publikojë ose jo këshillën që i dha ekzekutivit. Ndërkohë, kryeministri Boris Xhonson, që është kthyer në Londër nga samiti i OKB-së në Nju Jork, ka deklaruar se nuk bie dakord me vendimin e Gjykatës së Lartë, por ka shtuar se do ta respektojë atë. /abcnews.al