Në studion e ABC së Mëngjesit ishte Loreta Berhami nga shtëpia botuese “Pegi”, për të prezantuar një nga botimet më të komentuara të momentit: “Brezi Fantastik”, libri i frymëzuar nga fenomeni botëror “Brezi i Ankthit”. I vlerësuar si bestseller nr. 1 në New York Times, me autorë Jonathan Haidt dhe Catherine Price, ky libër vjen tashmë i përkthyer në shqip nga Ilir I. Baçi, si një udhërrëfyes i domosdoshëm për fëmijët e moshës 9–12 vjeç.
Në një kohë kur telefonat, rrjetet sociale dhe ekranet po pushtojnë jetën e të vegjëlve, “Brezi Fantastik” vjen si një thirrje e fortë për të rikthyer fëmijët tek miqësia reale, aventura, loja dhe pasionet jashtë botës virtuale. Me histori reale, ilustrime tërheqëse, sfida praktike dhe këshilla konkrete, libri synon t’u japë kurajë fëmijëve të mbrojnë veten nga ndikimet e tepërta të teknologjisë dhe të zgjedhin një jetë më të balancuar.
I përzgjedhur ndër librat më të mirë të vitit nga School Library Journal, ky botim nuk është vetëm për fëmijët, por edhe një alarm dhe udhëzues për prindërit e edukatorët që kërkojnë të kuptojnë më mirë sfidat e brezit dixhital. Sepse pyetja sot është më e fortë se kurrë: A po rrisim një brez ankthi… apo një brez fantastik?


